Ballina Ekonomi Bankat komerciale në Kosovë fitojnë rreth 80 milionë euro gjatë vitit 2020

Bankat komerciale në Kosovë fitojnë rreth 80 milionë euro gjatë vitit 2020

Pavarësisht pandemisë COVID-19, bankat komerciale në Kosovë kanë shënuar fitim prej 79.9 milionë euro. Mirëpo, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019, fitimi i tyre është më i vogël për 6.3 milionë euro.

Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) mbi sistemin financiar, shihet se të hyrat e bankave kanë qenë 279.3 milionë euro, ku 212.2 milionë euro ishin të hyra nga interesi, kurse në muajin dhjetor të 2019-së është raportuar se këto të hyra ishin 263.2 milionë euro.

Për sa i përket shpenzimeve të bankave, në raport thuhet se 97.3 milionë euro kanë qenë shpenzime administrative, kurse 22.7 milionë euro shpenzime të interesit, shkruan Telegrafi.

Zgjerimi i aktivitetit kreditues të sektorit bankar vazhdon të mbështetet nga ecuria e depozitave, rritja e të cilave paraqet burimin kryesor të financimit të kreditimit në vend.

Vlera e depozitave deri në këtë periudhë arriti në 4.36 miliardë euro, krahasuar me 3.91 miliardë euro që ishin një vit më herët, pra kishte rritje vjetore prej 11.5 për qind.

Performanca e bankave komerciale, dhjetor 2020 | Burimi: BQK

“Norma efektive e interesit për depozita në muajin dhjetor të vitit 2020 është 1.5 për qind, që krahasuar me normën efektive të interesit në kredi të reja është 7.1 për qind dhe paraqet dallim prej 4.5 pikë përqindje”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.

Kjo diferencë e lartë ka ndikuar që bankat gjatë kësaj periudhe të arrijnë fitime mjaft të larta. Derisa dallimi mes interesit në kredi dhe depozita do të jetë i lartë, bankat do të vazhdojnë të kenë shumë të hyra nga interesi dhe fare pak shpenzime për interes.

Kreditë e këqija sipas raportit të BQK-së aktualisht janë 2.7 për qind.

“Deri në muajin dhjetor 2020, sektori bankar regjistroi rënie të kredive jo-performuese dhe përmirësim të mbulueshmërisë së tyre me provizione. Niveli i tyre shënoi rritje në 2.7 për qind nga 2 për qind që ishte në muajin dhjetor 2019. Niveli i mbulueshmerisë së këtyre kredive me provizione në këtë muaj arriti në 141.4 për qind”, shpjegon raporti.

Aktualisht në tregun e Kosovës operojnë 11 banka komerciale, prej të cilave 9 janë me kapital të huaj. Numri i degëve të tyre 211, kurse këto banka kanë të punësuar 3,391 punëtorë.

Exit mobile version