Bordi i drejtorëve të Bankës Botërore ka miratuar kredinë prej 800 milionë dollarë Turqisë dhe Azerbajxhanit, për projektin e tubacionit të gazit natyror Trans-Anadolian (TANAP) të martën vonë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kreditë do të realizohen nëpërmjet filialit të Bankës Botërore, Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD).
Kredinë e Turqisë do ta marrë korporata turke e naftësjellësit (BOTAS), garantuese e së cilës do të jetë Republika e Turqisë me afat 24 vjeçar të maturimit.
Ndërsa kredinë e Azerbajxhanit do ta marrë Kompania e Korridorit jugor të gazit (SGC), me garanci të Republikës së Azerbajxhanit, bazuar në një periudhë maturimi 30 vjeçare.
Rreth 4 miliardë dollarë financa të jashtme janë parashikuar për projektin 8.5 miliardë dollarësh, pati deklaruar presidenti i SOCAR Rovnaq Abdullayev në një intervistë të mëparshme për Anadolu Agency.
Përveç Bankës Botërore, në mesin e mbështetësve të propozuar janë edhe Agjencia për Garantimin e Investimeve Shumëpalëshe dhe Infrastrukturës, Banka Aziatike e Investimeve dhe Infrastrukturës, Banka Europiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
“Rënia e çmimit botëror të naftës dhe çmimet e ulëta të mallrave gjithashtu i ofron një mundësi projektit TANAP për të shkurtuar buxhetin e saj dhe për të kursyer deri në 3.2 miliardë dollarë. Fillimisht, buxheti i investimeve për TANAP u vlerësua në 11.7 miliardë dollarë, por në saj të çmimeve të ulëta të naftës, kemi reduktuar buxhetin tonë në 8.5 miliardë dollarë”, tha Menaxheri i Përgjithshëm i TANAP Saltuk Duzyol në një intervistë me gazetarët javën e kaluar.
Projekti TANAP është planifikuar të lëshohet në përdorim në vitin 2018 me kapacitet fillestar të furnizimit prej 16 miliardë metra kub (BCM) të gazit azerbajxhanas nëpërmjet Gjeorgjisë në Turqi. Ndërsa 6 BCM të gazit do të jenë për konsum të brendshëm të Turqisë, pjesa tjetër është e destinuar për t’u transferuar në Greqi, Shqipëri dhe Itali dhe më tej në Evropë.
Gjiganti azer i energjisë, Kompania Shtetërore e Naftës (SOCAR) ka 58 përqind të interesit në TANAP, BOTAS e Turqisë 30 përqind, ndërsa BP zotëron një pjesë prej 12 përqind.