Protestuesit bënë thirrje për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Indinë dhe bojkotimin e produkteve indiane
Mijëra persona në kryeqytetin Dhaka të Bangladeshit u mblodhën për të protestuar kundër zyrtarëve të Partisë në pushtet Bharatiya Janata (BJP) në Indi të cilët kanë përdorur shprehje me përmbajtje fyese ndaj Profetit Muhamed, transmeton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit bënë thirrje për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Indinë dhe bojkotimin e produkteve indiane.
Mijëra qytetarë të Bangladeshit u mblodhën pas namazit të xhumasë në afërsi të xhamisë Baitul Mukarram në kryeqytetin Dhaka dhe dënuan fjalët fyese të zyrtarëve të BJP-së në pushtet në Indi kundër Profetit Muhamed.
Në anën tjetër, protestuesit kritikuan edhe qeverinë e Bangladeshit, e cila ndjek një politikë të moderuar me Indinë dhe e cila nuk ka treguar reagim të mjaftueshëm ndaj ngjarjes.
Zëdhënësi i partisë në pushtet BJP në Indi, Nupur Sharma, si dhe Naveen Kumar Jindal, kreu i medias të BJP-së në New Delhi, si dhe Harshit Srivastava, një prej emrave përgjegjës për politikat rinore të partisë, përdorën shprehje me përmbajtje fyese kundër fesë islame dhe Profetit Muhamed.
Partia në pushtet, e cila për shkak të tensioneve në fjalë u vendos në qendër të kritikave, njoftoi shkarkimin Nupur Sharma-s me arsyen se ka përdorur shprehje me përmbajtje fyese kundër fesë islame dhe Profetit Muhamed, ndërsa njoftoi gjithashtu edhe përjashtimin nga partia për Naveen Kumar Jindal, kreun e medias të BJP-së në New Delhi.
Ndërkaq, edhe Srivastava, një prej emrave përgjegjës për politikat rinore të partisë, u arrestua në rajonin Uttar Pradesh për shkak të postimit në Twitter. /aa