E gjitha fillon me një karvan të gjatë makinash që stivosen çrregulltazi para dritës së kuqe të semaforit që pothuaj kurrë nuk ndryshon ngjyrë. Sapo je shfryrë nga denduria e pickimeve irrituese nga pritja e semaforit të parë vetëm pak qindra metra prapa, avazi i evakuimit psikologjik që të shkakton pritja në radhë semafori, përsëritet përpikmërisht sa herë që zgjidhjet tona të trafikut urban, kanë anuar drejt formulash më të lehta dhe më pak të kushtueshme të mundshme. Në situata të tilla, përsiatja jote nuk ka kurrë shansin të thellohet më tutje për shkak të një siluete të zezë andertali e cila merr trajtë akullnaje hundështypur tek xhami anësor i makinës tënde, ngjashëm me një vepër arti nën gjelatinë. Papritmas ndodhesh i përballur me një dialog burgu ku xhami i makinës të aktivizon një marrëdhënie gjestikulacioni me qënien e cila ndodhet përtej territorit tënd e përjashtësuar nga konforti i xhamtë i makinës. Në këtë situatë prite nga banda të pa armatosura lypësish profesionistë, të cilët zhdukin me prezencën e tyre çdo lloj ndjenje admirimi, detyrohesh të menaxhosh një situatë qesharake depresioni të një varfërie të shtirë që sa vjen e transformohet në një tatim bashkiak mbi durimin dhe botëkuptimin personal të secilit.
Gra, fëmijë e foshnja të të gjitha moshave dhe përmasave përbëjnë një makineri marketingu të një keqardhjeje tinzare e përzier me pluhur e djersë e gjitha në funksion të lypjes së kthyer në një aktivitet biznesi pa liçencë e taksa, shtohet përpjestueshmërisht përditë duke depersonalizuar ndërgjegjen qytetare. Në sajë të frymës së politikës lokale për t’u përqëndruar vetëm tek gjërat e mëdha dhe për t’i lënë ato të voglat e të përditshmet në fund të mandateve kur edhe vlerësimi popullor vjen, ka bërë që kryqëzimet tona të transformohen në disa derivate të qëndrave tegëtare me lloj lloj halldupësh e abuzuesish që kanë aspak lidhje me varfërinë. Këtu nuk bëhet fjalë për ndihmë ndaj të varfërve dhe të vobektëve, këtu bëhet fjalë për të çrrënjosur një sistem fallsifikatorësh të ndjenjave dhe emocioneve me qëllim përfitimi.
Ka qenë një premtim elektoral i kandidatit për kryetar bashkie të asaj kohe zt. Basha, se do të pastronte semaforët nga lypësit dhe ambulantët që dhunshëm u imponohen qytetarëve në momentet më të papërshtatshme për ta. Pyetja që shtrohet është se çfarë mund të bëjë një kryeqytet i cili nuk është në gjëndje të disiplinojë shkarkimet e veta sociale duke i futur në ullukun e edukimit kolektiv me ndjenjën e punës dhe kontributit ? Nëse nuk jemi në gjëndje të menaxhojmë fenomene të tilla të cilat janë lehtësisht të rregullueshme, atëhere çfarë ndodh me promblematikën e madhe të kryeqytetit me vonë ?
Lypësit janë në të gjithë botën njësoj. Të njëjtat fjalë e forma pothuaj identike përdoren kudo me një gjuhë mbikombëtare e pa territor. Kërkesa për para sepse nuk ka shtëpi, apo sepse nuk ka që të blejë ilaçe, përsëriten me një besnikëri shumëfishimi të habitshme. Dikush ta përcakton lypjen si taksë e sheshtë kur të thotë :”A ke një qind lekë”, dikusht tjetër merr një fizarmonikë apo ndonjë tip instumenti folklorik dhe ekzekuton në publik pothuaj të njëjtin pasazh më mijëra herë duke mos u lodhur kurrë. Ca të tjerët të vijnë më një kovë e fshirëse xhamash të një epoke të papërcaktuar dhe në tentativën për të pastruar makinën tënde, lënë një njollë gjeografike të shpifur mu përballë xhamit tënd.
Gjërat ndahen mes hallit e nevojës dhe lypjes si profesion full-time. Të kërkojnë lekë për ushqim por kur i ofron ushqim të mirë e refuzojnë dhe duan lekë gjoja për ta blerë atë, kërkojnë strehim por kur i ofron qëndra rehabilitimi refuzojnë dhe ikin, thonë s’kanë para por shuma që u vjen në fund të ditës është më e madhe se sa pagesa e ditës tënde të lodhshme të punës, thonë vuajmë përditë, por përditë në mënyrë rituale performojnë të njëjtën shfaqje. Është e domosdoshme dhe qytetarisht e nevojshme per të penguar kete shembull të keq të mjegullimit të varfërisë, të përzierjes së një situate vërtet emergjente me profesionistë të mashtrimit publik.
Nga: Redi Shehu