Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon u shpreh i kënaqur me miratimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nëpërmjet së cilës bëhet thirrje që t’i jepet fund ndërtimit të paligjshëm të vendbanimeve izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai theksoi se rezoluta është një hap shumë i rëndësishëm, duke apeluar tek udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë që të bashkëpunojnë me komunitetin ndërkombëtar dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së të premten miratoi një rezolutë me të cilën kërkohet t’i jepet fund ndërtimeve të paligjshme të vendbanimeve izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për herë të parë abstenuan.
Rezoluta me të cilën kërkohet “menjëherë dhe plotësisht” të ndalojnë të gjitha aktivitetet që lidhen me ndërtimin e paligjshëm të vendbanimeve hebreje në territorin e pushtuar palestinez, u miratua me 14 vota “për”.
Përndryshe, kjo është rezoluta e parë mbi marrëdhëniet izraelito-palestineze të cilën Këshilli i Sigurimit të OKB-së e miratoi në gati tetë vjet.
Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power tha se SHBA nuk vuri veton, sepse rezoluta, siç tha: “pasqyron situatën në terren dhe është në përputhje me politikën që e udhëheqin nga Shtetet e Bashkuara”.
Rikujtojmë se projekt-rezoluta është propozuar nga Zelanda e Re, Malajzia, Venezuela dhe Senegali.