Ballina Kuzhinë Ballokume Tradicionale

Ballokume Tradicionale

Kjo recetë kërkon durim dhe kujdes duke nisur nga përzgjedhja e përbërësve dhe deri tek përpunimi i tyre, e mandej procesi i fundit i pjekjes.

Receta autentike e përgatitjes së ballokumes, të cilën AgroWeb.org e sjell më poshtë, ka disa elementë specifikë të cilët bëjnë diferencën në shijen perfekte të saj.

Një nga përbërësit unik të ballokumes është finja. Ajo përgatitet nga hiri i zjarrit, e madje nënat e gjyshet e vjetra elbasanase kujdesen që të marrin hi nga zjarri me dru ahu.

Finja i jep ballokumes shkriftësinë tipike.

Ndiqni më poshtë nga AgroWeb.org recetën autentike të përgatitjes së Ballokumeve sipas traditës së amvisave të Elbasanit.

Përgatitja e Ballokumeve të Elbasanit në Shtëpi

Përbërësit

  • 1 kg sheqer (jo i bluar)
  • 1 kg mielli misri i situr
  • 500 gr gjalpë i freskët (sipas këshillës së amvisave të Elbasanit gjalpi duhet të jetë dhie)
  • 8 kokrra vezë
  • Gjysmë filxhani kafeje me ujë finje (përgatitet përmes hedhjes së dy-tre lugë gjelle nga hiri i zjarrit në një gotë me ujë, e cila lihet përreth 30 minuta dhe më pas kullohet me kujdes)

Përgatitja

Si fillim, në enën e bakrit apo qelqit, hidhet sheqeri dhe gjalpi i shkrirë, temperatura e të cilit duhet të jetë e vakët.

Përzihet përmes një luge druri përreth 40- 45 minuta derisa masa të bëhet kremoze.

Më pas shtojmë një vezë dhe vijojmë përzierjen me lugë druri. Shtojmë vezën e dytë dhe vijojmë përzierjen me lugë druri, vijojmë po kështu me vezën e tretë dhe me rradhë.

Vijojmë pa ndërprerje përzierjen ndërsa shtojmë ujin e finjës ose në mungesë të tij shtojmë pak qumësht.

Shtoni miellin e misrit me dorë gradualisht duke vijuar pa ndërprerje përzierjen me lugë druri derisa të keni mbaruar gjithë masën e miellit.

Trazohet fort me lugë druri që të mos krijohen kokërriza dhe masa të bëhet krejtësisht e njëtrajtshme.

Masa nis të punohet me dorë derisa brumi të jetë aq i plotë sa të mos rrafshohet kur e mban në dorë.

Brumi ndahet në copa të cilave u jepet forma e rrumbullakët. Më pas vendosen në një tavë të lyer me gjalpë dhe pudrosur me miell misri. Ballokumet vendosen me një distancë nga njera tjera pasi vëllimi i tyre do rritet gjatë pjekjes.

Vendoset në furrë të parangrohur në temperaturën 180-200 gradë./

Exit mobile version