Ballkani nuk është atdhe vetëm i armiqësive!

Xhevdet Pozhari

Ballkani prej moti është bërë metaforë e grindjeve, përçarjeve, trazirave dhe armiqësive të përhershme mes etnive që e banojnë këtë hapësirë. Pra, posa përmendet Ballkani të huajve u shpërfaqen popujt që nuk dinë të ndërtojnë ura bashkëpunimi, por vetëm t’i thellojnë hendeqet e mosmarrëveshjeve. Dhe që lehtë nënshkruajnë mes veti marrëveshje vetëm pse e dinë që nuk do t’i zbatojnë kurë dhe vetëm që ta shtojnë burimin e grindjeve dhe mosmarrëveshjeve të reja.

Por, pa dyshim se nuk është ashtu siç thuhet dhe siç thonë paragjykimet e sforcuara dhe stereotipat e ngritur nga vetë ata të cilëve u është dashur ky Ballkan grindavecësh edhe atë thuajse vetëm sa të kenë ku ta ushtrojnë aftësinë e tyre ndërmjetësuese emisarët e shumtë të Perëndimit.

Sidoqoftë, rrallëkush si ballkanasit e din sa vështirë ndërtohen dhe mirëmbahen urat e bashkëpunimit mes popujve dhe sa lehtë rrënohen ato. Këtë e dëshmon edhe legjenda mbarë-ballkanase për ndërtuesit e urës, të cilëve natën u është rrënuar muri të cilin e kanë muruar gjatë ditës, dhe që ka zgjatur deri sa në themelet e saj nuk kanë muruar më të vlefshmen e më të mirë që e kishin– nusen e vëllait më të vogël.

Se për të ndërtuar miqësi të ndërsjellë nevojitet të flijosh më të vlefshmen që ke, në të shkuarën e ka dëshmuar edhe miqësia shqiptaro bullgare. Miqësi e cila në masë të madhe ka qenë e ngjizur nga vuajta dhe nga armiku i përbashkët – ai serb.

Se ajo miqësi është kalitur edhe nëpër burgjet serbe ka shumë dëshmi, siç janë ato që i përcjellë gazeta “Perlindja e Shqipëniës”, organ zyrtar i Qeverisës së Përkohshme të Shqipërisë, e cila me 28 nëntor të vitit 1913, në faqen 2, shkruan se “ …Burgjet të Kosovës janë mbushur me Shqipëtarë dhe me Bullgarë të qetë të cilët mundohen me keq se në kohë të Inqiziciës! Qeveritari i Shkupit Ceronici, një barbar i egër, ka shtënë tmerë nër Shqipëtarët dhe Bullgarët. I thëret në Qeveri e u thotë që do t’u shkurtonjë këmbët e kryet po të mos bëhen Sërbë!”

Dhe nuk është e thënë kot se miqësitë e burgjeve janë më të fortat dhe të përjetshme. Siç ishte miqësia mes shumë revolucionarëve shqiptarë e bullgarë, miqësi që do e thellojë bashkëpunimin shqiptaro-bullgar, i cili bashkëpunim do ketë rëndësi të veçantë gjatë luftërave të këtushme ballkanike si dhe pas tyre.

Bashkëpunimi shqiptaro-bullgar më së shumti do t’i prishte punë Serbisë e cila do bëjë çmos që atë ta pengojë. Dhe kështu, atë që nuk ia doli ta arrijë dikur, në masë të madhe do e realizojë në kohën e socializmit, kur Beogradi investoi shumë që t’i shlyejë gjurmët e kësaj miqësie dhe këtij bashkëpunimi, e madje atë që ua kishte bërë ndër shekuj ajo vetë shqiptarëve, t’ua përshkruante bullgarëve.

Pra, historianët serb bënë çmos që t’i shlyejnë masakrat që kishin bërë ushtarët serb edhe për ta fshehur miqësinë historike shqiptaro-bullgare. Posaçërisht, bashkëpunimin e tyre në trojet e Maqedonisë së sotme.

Por, megjithatë ata nuk ia dolën dot ta shlyenin atë që mbeti e shkruar si në gurë: në mbamendjen shqiptaro-bullgare si dhe nëpër mediat e asaj kohe.

Kështu për shembull, “Perlindja e Shqipëniës”, me 25 gusht të vitit 1913, shkruan se “… Sërbërit si hynë në Strugë muarën krahun e Deburcës, ku po djegin me topë katundet të Bullgarëvet, pse ata muarën pjesë në këtë kryengritje, të cilët i paska cuë peshë kapedan Milan Matofi. Kësish gjepura çpikin Sërbërit dhe djegjin fshatrat me qellim që t’i mbushin me Sërbër të besës. Siç dihet Deburca qendron nërmjet Dibrës dhe Strugës”.

Pastaj, në po të njëjtin shkrim thuhet se “… e gjithë gjindja e krishtenë bullgare, u bashkua me kryengritësit shqipëtarë, andaj le të mos kenë pikë dyshimi që nonjë ndarje në mes të ‘tyne. Ata janë të mendjes, ja se të shofin vendet e ‘tyne të çpenguara ja të shuhen fare. Këtë besëlidhje e kanë bajraktarët shqipëtarë: Ali Kaloshi, Maliq Kërçishta, Kurt Haxha me bullgarët Milan Matofin e Petrush Çaulefin”.

Këto janë vetëm disa nga dëshmitë për bashkëpunimin bullgaro-shqiptarë në kohë vendimtare dhe të vështira për të ardhmen e tyre. Bashkëpunim që kurrë nuk u ndërpre, por të cilin Beogradi i dekadave të socializmit jugosllav e pengoi që të kishte vazhdimësi. Këtë bashkëpunim e penguan edhe muret e larta ideologjik, mure që kishin për qëllim t’i mbrojnë popujt e këtushëm edhe nga e vërteta për vetveten si dhe t’ua shlyejnë atyre nga kujtesa kalendarin e armiqësive dhe miqësive të shkuara.

E, bashkëpunimi shqiptaro-bullgar aq u ka penguar armiqve të përbashkët të këtyre dy popujve, po ashtu i ka shtyrë që ata të bëjnë çmos që t’i armiqësojnë midis veti këta dy popuj. Lidhur me këtë ja se çka shkruan “Perlindja e Shqipëniës”, me 15 shkurt të vitit 1913: “Corriera d’Italia” lajmohet gjysmë zyrtarisht nga Sofia, që sërbët forcojnë bullgarët të luftojnë kundra shqipëtarëve. Ata që s’duan i mundojnë. Për këtë shkak prishën katër katunde bullgarë reth Kërçovës. Muslimanët e Lajanës, Itoç, Beluçina, Debrishta, Varilishta dhe Dasova muarr malet që të mos luftojnë kundra Shqipëtarëve”.

Por, siç duket, ngaqë nuk ia dolën t’i armiqësojnë mes veti, qarqet serbe nisën ta mbulonin të vërtetën për bashkëpunimin shqiptaro-bullgar. Bashkëpunim të cilin “Perlindja e Shqipëniës”, e vitit 1914 kështu e përshkruan: “Dihet se në ngritjen e fundit që banë Shqipëtarët në Dibrë kundër Serbëve, muarnë pjesë dhe shumë Bullgarë vendas në luftimin kundra armikut të përbashkët. Ashtu dhe kur u kthye perseri Serbi, barbarizmat që vepëroi në Shqipëtarët i bani dhe në Bulgarët e vendit dhe këta, bashkë me Dibranët Shqipëtarë kush mundi iku e erdhi në Elbasan e gjetkë në Shqipënië. Sjelljet miqësore e njetzore që kanë dëftyer Shqipëtarët në këtë rast kundrejt Bullgarëve të ikur janë duke u permendum me një lavdurim prej shtypit bullgar. Veç Shqiptarve te tjerë fletoret bullgare, përmendin me një nderim të math Aqif Pashën prefektin e Elbasanit e të nipin Irfan Begun. Ndjenjat atdhetare e njerëzore të tij janë të njohura prej të gjith Shqipëtarëve. Shkruajnë gazetat bullgare, se kur kanë ikur nga Elbasani Bullgarët Dibranë Irfan Beu i ka persjellë duke treguar një dashurië e dhëmbje per ‘ta. Të gjithëve u ka falur nga një lirë turku. Të tillë Shqipëtarë duhet të jenë të rispektuar shum nga bashkatdhetarët e ‘tyne pse i zbardhin faqen me ndjenjat e sjëlljet e bukura të ‘tyne kombit Shqipëtar”.

Jo vetëm këto, por edhe dëshmi tjera të panumërta tregojnë se Ballkani nuk ka qenë dhe nuk është djep ku mëkohen armiqësitë mes popujve. Përkundrazi, mes popujve të këtushëm ka pasur edhe besëlidhje të forta e miqësi që kufi kanë pasur vdekjen e përbashkët. Por, për ata nuk flitet ngaqë gjatë kohë, rrëfimin për këto hapësira e kanë shkuar ata që kanë qenë e keqja e përbashkët e këtyre trojeve – qendrat antishqiptare dhe antibullgare.

Megjithatë, e vërteta mund të heshtet për një kohë, por nuk mund të shlyhet dhe të harrohet. Andaj, mbase ka ardhur koha kur ajo e vërtetë duhet të afirmohet sa më shumë. Edhe atë jo vetëm që të rishkruhet e vërteta për Ballkanin, por që ajo e vërtetë të vendoset në piedestalin që i takon.

Shkruan: Xhevdet Pozhari