Ballkani lë prapa dështimin në Champions, synon suksesin në Ligën e Konferencës

Njëri prej kapitenëve të Ballkanit, Arbër Potoku, pranon se eliminimi në Champions nga skuadra e Andorrës, UE Santa Coloma, ka qenë befasi për të gjithë. Por mbrojtësi i majtë thekson se e kanë lënë prapa eliminimin në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve dhe se fokusi tani është kalimi me sukses i fazës së dytë kualifikuese të Ligës së Konferencës.

Për ta fituar ndeshjen e parë, Ballkani pret ndihmën e shikuesve. Klubi suharekas ka njoftuar të hënën se ka ofruar falas biletat për shikues. Ballkani të martën nga ora 18:00 e pret kampionin e Maltës, Hamrun Spartans në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Ndeshja Ballkani – Hamrun luhet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

“Nuk e kemi pritur askush që do ta kemi ditën e keqe në ndeshjen kthyese ndaj Santa Colomas, duke filluar nga kartoni i kuq e deri tek autogoli. Ishim pafat, por sigurisht që kemi lënë prapa eliminimin nga raundi i parë kualifikues i Championsit dhe tash kemi ndeshjen e radhës në Ligën e Konferencës. Kemi bërë përgatitje maksimale për këtë ndeshje, ku shpresojmë dhe besojmë se me angazhimin e të gjithëve do të arrijmë kualifikimin tutje, sepse kemi mundësi”, ka thënë Potoku për KOHËN, të hënën.

Ai ka theksuar se pritjet janë për një rezultat pozitiv para ndeshjes kthyese që luhet në Maltë.

“Dihet se vetë i kemi rritur pritjet në këto vitet e fundit duke siguruar dy herë paraqitjen në fazën grupore të Ligës së Konferencës dhe jemi fitues të titullit në tri edicionet e fundit. Prandaj, na mbetet të bëjmë maksimumin të arrijmë rezultat pozitiv për ndeshjen e dytë”, është shprehur Potoku.

Ballkani edhe në dy edicionet e kaluara u ndal në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Por vazhdoi me sukses në kupat evropiane, përkatësisht në Ligën e Konferencës, që është niveli i tretë. U paraqitet me sukses në fazën grupore të Ligës së Konferencës në dy edicionet e kaluara.

Hamruni ka përvojë më të gjatë se Ballkani në garat evropiane. Merr pjesë nga edicioni 1983/1984. Suksesin më të madh e ka në edicionin 2022/2023. U eliminua në plejofin e Ligës së Konferencës nga Partizani i Beogradit. Në përgjithësi ka paraqitje të zbehta në gara evropiane.

Dhjetë herë fituesi i kampionatit të Maltës, njëjtë si Ballkani u eliminua këtë edicion në raundin e parë kualifikues të Championsit. Hamrunin e eliminoi Lincolni i Gjibraltarit.

Mbrojtësi i krahut të majtë, Potoku, insiston se Ballkani duhet ta sigurojë kalimin tutje. Kampioni i Kosovës, në rundin e tretë, në rast të kualifikimit, do të përballet me skuadrën e Irlandës së Veriut, Larne. Shorti për rundin e tretë u tërhoq të hënën.

“Pritjet janë që të kalojmë tutje, sepse ne tashmë kemi shkruar histori dhe të gjithë e shohin ndryshe Ballkanin. Por mos të harrojmë se kemi bërë ndryshime të mëdha në formacion. Në futboll nuk ka recetë dhe gjithnjë janë tri rezultatet e mundshme. Por ne do të bëjmë maksimumin që të kalojmë tutje”, ka thënë Potoku.

Në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës do të paraqiten edhe Llapi e Drita. Llapi përballë do ta ketë skuadrën daneze, Brondby. Në rast të kalimit tutje, Llapi në raundin e tretë do të takohet me fituesin e ndeshjes mes Legia Varshavës së Polonisë dhe Caernarfonit të Uellsit.

Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina u eliminua në rundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës nga skuadra polake Wisla Krakow.

Drita e Gjilanit garat evropiane do t’i fillojë në rundin e dytë të Ligës së Konferencës, ndaj skuadrës islandeze, Breidabliku. Në rast të kalimit tutje, Drita në raundin e tretë do të takohet me fituesin e ndeshjes mes Audas së Letonisë dhe Cliftonville të Irlandës së Veriut.

Llapi e Drita luajnë të enjten. Këto dy skuadra janë mysafire në ndeshjet e para.