Baku: Armenia shkel edhe armëpushimin tjetër

Ushtria armene hapi zjarr ndaj ushtarëve dhe vendbanimeve azerbajxhanase, duke shkelur haptazi armëpushimin e ndërmjetësuar nga SHBA-ja, tha sot Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria tha në një deklaratë se përplasjet vazhdojnë në rajonet kufitare Hocavend dhe Fuzuli, si dhe në qytetin Gubadli.

Ushtria azerbajxhanase zmbrapsi sulmet, duke shkatërruar divizionin e 18-të të motorizuar të këmbësorisë së ushtrisë armene dhe duke i shkaktuar humbje në ushtarë, thuhet në deklratë.

Ushtria e Azerbajxhanit ka shkatërruar gjithashtu një tank T-72, katër Hobitzer D-30 dhe tre D-20, një sistem raketash anti-ajrore Osa, një sistem raketash Grad, një stacion radari dhe gjashtë automjete të ushtrisë armene, duke neutralizuar po ashtu një numër të madh të personelit ushtarak.

Armëpushimi i ri i përkohshëm humanitar i ndërmjetësuar nga SHBA-ja ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë u shpall të dielën dhe hyri në fuqi që nga ora 8:00 e mëngjesit të së hënës sipas kohës lokale (04:00 sipas orës të Evropës Qendrore).

Armëpushimi i parë, i arritur më 10 tetor, u shkel brenda 24 orësh pasi sulmet raketore armene në qytetin Ganja të Azerbajxhanit u morën jetën disa civilëve.

Një armëpushim tjetër i arritur më 17 tetor u shkel gjithashtu nga Armenia.

Që kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator, Armenia ka sulmuar vazhdimisht civilët dhe forcat azerbajxhanase.

Deri më tani, të paktën 65 civilë azer kanë vdekur dhe 297 të tjerë janë plagosur, ndërsa 2.243 shtëpi dhe 90 ndërtesa banimi me aparatamente janë shkatërruar. Gjithashtu, 402 objekte civile janë dëmtuar në sulmet armene, sipas zyrtarëve azerbajxhanas.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit, dhe shtatë rajone fqinje.

Katër rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së si dhe një numër organizatash ndërkombëtare kanë kërkuar “tërheqjen e menjëhershme, të plotë dhe të pakushtëzuar të forcave okupuese” nga territori i okupuar i Azerbajxhanit.

Në total, rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit ka qenë nën okupimin e paligjshëm të Armenisë për gati tri dekada.

Megjithatë, një armëpushim u arrit në vitin 1994.

Fuqitë botërore, përfshirë Rusinë, Francën dhe SHBA-në, kanë bërë thirrje për një armëpushim të qëndrueshëm. Ndërkohë, Turqia ka mbështetur të drejtën e Azerbajxhanit për vetëmbrojtje dhe ka kërkuar tërheqjen e forcave pushtuese të Armenisë.