Bakllava me rrush të thatë dhe arra

Bakllava me rrush të thatë dhe arra. Ndiqni këto hapa për të përgatitur këtë recetë fantastike. Kjo ëmbëlsirë është një recetë e veçantë dhe speciale sidomos për festa.

Përbërësit

2 pako peta për bakllava
400 gr arra
300 gr rrush të thatë
2 kokrra mollë jeshile
2 pako biskota
800 gr gjalpë
1 lugë gjellë kanellë pluhur

Për sherbetin

1.5 kg sheqer
1 l ujë
1 lugë gjellë lëng limoni
fara karafili sipas dëshirës

Përgatitja

Përgatitja e bakllava me rush të thatë dhe arra mund të përgatitet fare thjeshte dhe me petë të gatshme, përndryshe përgatisni paraprakisht petët e bakllavasë si në recetën bakllava shqiptare.
Fillimisht vendosim në grirëse elektrike arrat, sigurohemi që të mos grihen në formën e pluhurit por të jenë copëza të vogla. Më pas vazhdojmë me grirjen e mollëve, biskotave dhe rrushit të thatë.
Marrim një enë të madhe ku hedhim të gjithë përbërësit dhe i përziejmë duke i hedhur një lugë kanellë pluhur. Është e rëndësishme që të përzihen mirë të gjithë përbërësit duke krijuar një masë homogjene.
Për të filluar me mbushjen fillimisht shkrijmë gjalpin që do na duhet për të lyer petët, petët duhen nga tre, në mënyrë që të mbajnë masën sa më të plotë.
Marrim petën e parë, i hedhim pak gjalpë dhe e lyejmë më pas i vendosim petën e dytë dhe të tretë duke përsëritur të njëjtin veprim. Pasi petët janë ngjitur me njëra tjetrën hidhen 8 lugë nga masa e përgatitur dhe mblidhet në formë role.
Vazhdojmë në këtë mënyrë deri në përfundimin e petëve. Këshillohet që tepsia të jetë katrore në mënyrë që format të dalin sa me të plota dhe estetike. Pasi kemi përfunduar vendosjen e petëve i presim në pjesë të vogla dhe i hedhim sipër të gjithë masën e gjalpit që mbetet.
Furra duhet të ndizet paraprakisht në 180° dhe bakllavaja me rush të thatë piqet për 1 orë. Pasi masa është ftohur I hedhim sherbetin dhe e lemë gjithë natën në mënyrë që të përthithi sa më mirë sherbetin.