Bajrami: S’do të ketë grevë këtë vit

Ministri në detyrë i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, Arsim Bajrami, i ka siguruar nxënësit dhe prindërit, se këtë vit nuk do të ketë grevë të mësimdhënësve.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se MAShT-i do të punojë ngushtë me mësimdhënësit dhe SBAShK-un që të mos ndodhë asnjë grevë. Bajrami ka treguar se me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2017/2018 do të fillojë edhe zbatimi i kurrikulës së re, e cila, sipas tij, do ta ndërrojë qasjen në shkolla, duke ndërtuar një sistem arsimor cilësor.

Ministri Bajrami ka thënë se kryeministri i ardhshëm duhet ta ketë arsimin prioritet numër një të qeverisjes.

“Unë i siguroj nxënësit dhe prindërit që sivjet nuk do të ketë grevë. Sivjet do të ketë bashkëpunim të ngushtë me SBAShK-un. Besoj se Qeveria e re do të ndërtojë një sistem të ngritjes së pagave të mësimdhënësve, sepse ka ardhur koha e ngritjes së pagave të mësimdhënësve, por kjo ngritje duhet të bëhet vetëm në bazë të rezultateve që tregojnë mësimdhënësit në bazë të sukseseve të tyre dhe pikëve që ata mbledhin me rastin e licencimit dhe rilicencimit”, ka thënë Bajrami.

Ai ka treguar se nga sot do të fillojë zbatimi i kurrikulës së re, e cila, sipas tij, do ta ndërrojë qasjen në shkolla, duke ndërtuar një sistem arsimor cilësor.