Bajrami e Vojvoda në ekipin më të mirë të xhiros në Serie A

Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Nedim Bajrami ka zënë vend në formacionin më të mirë të javës në Serie A të Italisë.

Krahas Bajramit, pjesë e ekipit më të mirë të xhiros së 31-të, është edhe mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda. Si Bajrami ashtu edhe Vojvoda janë përfshirë në formacion pas paraqitjeve të mira që i patën me ekipet e tyre vikendin e shkuar në kuadër të kampionatit italian.

Bajrami ishte protagonisti kryesor në barazimin e Sassuolos 2:2 kundër skuadrës së Salernitanas. Në këtë ndeshje, Bajrami kontribuoi me një gol dhe një asistim për t’ia siguruar një pikë të vlefshme Sassuolos në luftën për mbijetesë. Edhe Vojvoda pati paraqitje të mirë te Torino, ekip që pësoi 3:2 në udhëtim tek Empoli.

Në këtë përballje, Vojvoda asistoi për golin e parë të Torinos, të cilin e realizoi Duvan Zapata. Skuadra e Torinos zë vendin e nëntë në Serie A me 44 pikë, 19 më shumë se Sassuolo që është i parafundit.