Tonsiliti është inflamacion i bajameve apo i grykëve. Shenjat dhe simptomat e tonsilitit përfshijnë bajamet e fryra, dhimbjen e fytit, vështirësi në gëlltitje dhe inflamacion të nyjeve limfatike në anët e qafës.
Bajamet janë pjesë thelbësore e sistemit imunitar ku funksioni kryesor i tyre është filtrimi nga bakteret dhe çdo organizëm tjetër që mund të shkaktojë infeksione.
Por ndodh që bajamet mund të vuajnë një infeksion i cili çon në inflamacion.
Për shkak se trajtimi i duhur për bajamet varet nga shkaku, është e rëndësishme që të merrni një diagnozë të shpejtë dhe të saktë. Kirurgjia për të hequr bajamet është një proçedurë e zakonshme për trajtimin e bajameve, e cila zakonisht kryhet vetëm kur tonsiliti ndodh shpesh, nuk i përgjigjet trajtimeve të tjera ose shkakton komplikacione serioze.
Simptomat
Tonsiliti prek fëmijët ndërmjet moshave parashkollore dhe mes viteve të adoleshencës. Shenjat e zakonshme dhe simptomat e tij përfshijnë:
- Bajame të kuqe, të fryra
- Veshje të bardha ose të verdha në bajame
- Dhimbje të fytit
- Gëlltitja e vështirë ose e dhimbshme
- Ethe
- Zgjerohen gjendrat e buta (nyjet limfatike) në qafë
- Temperaturë
- Fryma e keqe
- Dhembje stomaku veçanërisht te fëmijët e vegjël
- Qafë e ngrirë
- Dhembje koke
Te fëmijët e vegjël të cilët nuk janë në gjendje të përshkruajnë se si ndjehen, shenjat e tonsilitit mund të përfshijnë:
- Gëlltitje të vështirë ose të dhimbshme
- Refuzim për të ngrënë
- Nervozizëm i pazakontë
Shkaqet
Tonsiliti shkaktohet zakonisht nga viruse të zakonshme, por mund të shkaktohet edhe nga infeksione bakteriale.
Bakteri më i zakonshëm që shkakton tonsilit është Streptocoçus pyogenes (grupi A streptocoçus).
Pse infektohen bajamet?
Bajamet janë linja e parë e mbrojtjes së sistemit imunitar kundër baktereve dhe viruseve që hyjnë në gojën tuaj. Ky funksion mund t’i bëjë bajamet vulnerabël ndaj infeksionit dhe inflamacionit.
Megjithatë, funksioni i sistemit imun të bajameve bie pas pubertetit, një faktor që mund të përbëjë rastet e rralla të tonsilitit te të rriturit.
Faktorët e rrezikut për bajamet përfshijnë:
-Mosha e re. Tonsiliti më shpesh ndodh tek fëmijët, por rrallë te fëmijët më të vegjël se mosha 2 vjeç. Tonsiliti i shkaktuar nga bakteret është më i zakonshëm tek fëmijët e moshës 5 deri në 15 vjeç, ndërsa grykët virale janë më të zakonshme tek fëmijët e vegjël.
-Ekspozimi i shpeshtë ndaj mikrobeve. Fëmijët e moshës shkollore janë në kontakt të ngushtë me kolegët e tyre dhe shpesh ekspozohen ndaj viruseve ose baktereve që mund të shkaktojnë tonsilit.
Komplikimet
Inflamacioni ose enjtja e bajameve shpesh (tonsiliti kronik), mund të shkaktojë komplikime të tilla si:
- Vështirësi në frymëmarrje
- Ndërprerje të frymëmarrjes gjatë gjumit (apnea obstruktive e gjumit)
- Infeksioni që përhapet thellë në indet përreth
- Kur duhet të vizitoni një mjek
Është e rëndësishme që të merrni një diagnozë të saktë nëse keni simptoma që mund të tregojnë për tonsilit.
Telefononi mjekun tuaj nëse jeni duke përjetuar këtë gjendje:
- Një dhimbje fyti që nuk largohet brenda 24 deri në 48 orësh
- Gëlltitje e dhimbshme ose e vështirë
- Dobësi ekstreme, lodhje ose shqetësim
Merrni kujdes të menjëhershëm nëse keni ndonjë nga këto simptoma:
- Vështirësi frymëmarrjeje
- Vështirësi ekstreme në gëlltitje
- Nervozizëm
Nëse tonsiliti i shkaktuar nga Streptocoçus i grupit A ose një lloj tjetër i baktereve streptokokësore nuk trajtohet, ose nëse trajtimi me antibiotik është i paplotë, fëmija juaj ka një rrezik në rritje të çrregullimeve të rralla siç janë:
-Ethe reumatike, një çrregullim inflamator që ndikon në zemrën, nyjet dhe indet e tjera
-Glomerulonefriti i Poststreptocoçal, një çrregullim inflamator i veshkave që rezulton në largimin e pamjaftueshëm të mbetjeve dhe lëngjeve të tepërta nga gjaku.
Parandalimi
Bakteret që shkaktojnë bajamet virale dhe bakteriale janë ngjitëse. Prandaj, parandalimi më i mirë është të praktikoni higjienën e mirë:
Lani duart tërësisht dhe shpesh, sidomos pas përdorimit të tualetit dhe para ngrënies
-Shmangni ndarjen e ushqimit, gota për pije, shishe me ujë ose enë kuzhine
-Zëvendësoni furçën e dhëmbëve pas diagnostikimit me tonsilit
Për të ndihmuar fëmijën tuaj të parandalojë përhapjen e një infeksioni bakterial ose viral tek të tjerët:
-Mbajeni fëmijën tuaj në shtëpi kur ai është i sëmurë
-Pyetni mjekun tuaj kur është mirë që fëmija juaj të kthehet në shkollë
-Mësoni fëmijën tuaj që të kollitet ose teshtij në bërryl
-Mësoji fëmijës tuaj të lajë duart pas teshtitjes ose kollitjes
Diagnoza
Mjeku do të fillojë me një provim fizik që do të përfshijë:
-Përdorimin e një instrumenti të ndezur për të parë fytin tuaj dhe me gjasë veshët dhe hundët
-Kontrollin për një skuqje të njohur si scarlatina, e cila është e lidhur me disa raste të fytit strep
-Kontrollin e qafës për të kontrolluar për gjëndrat e fryra (nyjet limfatike)
-Dëgjimi i frymëmarrjes me një stetoskop
-Kontrolli për zgjerimin e shpretkës (për shqyrtimin e mononukleozës, e cila gjithashtu ndez bajamet).
Trajtimi
Kujdesi në shtëpi
Nëse tonsiliti është shkaktuar nga një infeksion viral ose bakterial, strategjitë e kujdesit në shtëpi janë më të rehatshëm dhe promovojnë shërim më të mirë.
Nëse shkak është një virus, këto strategji janë trajtimi i vetëm. Mjeku juaj nuk do të përshkruajë antibiotikë. Do të ndjeheni më mirë pas 7 ose 10 ditësh.
Strategjitë e kujdesit brenda shtëpisë për t’u përdorur gjatë kohës së rikuperimit përfshijnë si në vijim:
-Mundohuni të pushoni sa më shumë dhe të flini sa më shumë gjumë.
-Sigurimi i lëngjeve adekuate.
Pini shumë ujë për të parandaluar dehidratimin.
– Lëngje të ngrohta – supë, çaj pa kafeinë ose ujë të ngrohtë me mjaltë – dhe trajtime të ftohta si copat e akullit mund të qetësojnë një dhimbje të fytit.
-Përgatitni një gargarë me ujë të kripur. Gargarë me ujë të ngrohtë dhe kripë mund të ndihmojë në zbutjen e një dhimbje të fytit, bëni gargarë dhe më pas pështyjeni.
-La ajrit. Përdorni një lagështues të ajrit për të eliminuar ajrin e thatë që mund të irritojë më shumë dhimbjen e fytit ose për disa minuta bëni një banjë me avull.
-Shmangni irrituesit. Mbajeni shtëpinë tuaj larg nga tymi i cigareve dhe pastrimi i produkteve që mund të irritojnë fytin.
-Trajto dhembjen dhe ethet. Bisedoni me mjekun tuaj rreth përdorimit të ibuprofen (Advil, Motrin) ose acetaminophen (Tylenol, të tjerë) për të minimizuar dhimbjen e fytit dhe për të kontrolluar ethet. Ethet e ulëta pa dhimbje nuk kërkojnë trajtim.
-Përveç sëmundjeve të caktuara, fëmijët dhe adoleshentët nuk duhet të marrin aspirinë sepse kur përdoret për të trajtuar simptomat e sëmundjeve të ftohta ose të ngjashme me atë të gripit, ajo ka qenë e lidhur me sindromën e Reye, një kusht i rrallë por potencialisht kërcënues për jetën.
Kirurgjia
Kirurgjia për të hequr bajamet (tonsillectomy) mund të përdoret për të trajtuar tonsilitin e përsëritur, grykët kronike ose grykët bakteriale që nuk i përgjigjen trajtimit me antibiotik. Gjendje e shpeshtë përgjithësisht përcaktohet kur ndodh:
-Më shumë se shtatë episode në një vit
-Më shumë se katër deri në pesë episode në vit në secilën prej dy viteve të mëparshme
-Më shumë se tre episode në vit në secilin nga tre vitet paraprake.
Antibiotikët
Nëse tonsiliti është shkaktuar nga një infeksion bakterial, mjeku juaj do të përshkruajë një kurë antibiotikësh.
Penicilina e marrë nga goja për 10 ditë është trajtimi më i zakonshëm antibiotik i përshkruar për tonsilit të shkaktuar nga Streptocoçus i grupit A. Nëse jeni alergjik ndaj penicilinës, mjeku juaj do të përshkruajë një antibiotik alternativ.
Duhet të merrni kurën e plotë të antibiotikëve siç përshkruhet edhe nëse simptomat largohen plotësisht. Dështimi për të marrë të gjitha ilaçet sipas udhëzimeve mund të rezultojë në përkeqësimin e infeksionit ose përhapjen në pjesë të tjera të trupit. Mos përfundimi i kurës së plotë të antibiotikëve, mund të rrisë rrezikun e etheve reumatike dhe inflamacionin e rëndë të veshkave.
Bisedoni me mjekun ose farmacistin tuaj rreth asaj se çfarë duhet të bëni nëse harroni të merrni një dozë./ Shendeti.com.al
Përshtati në shqip: Ilma Lamçe