Bahtiri: S’kemi datë të saktë kur do të lëshohet ura e Ibrit për qarkullim

Më 3 mars është paralajmëruar ardhja e në Kosovë e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e me këtë datë mund të lëshohet edhe ura e Ibrit për qarkullim.

Por kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se ende nuk kanë datë të saktë se kur mund të lëshohet ura për qarkullim, për shkak të punimeve që janë duke vazhduar.

“Ende datat e sakta nuk i kemi punët janë duke vazhduar, te shohim a do të mund të arrijmë. Punët që duhet të zhvillohen kanë lidhje me lëshimin e urës. Do të bëhet rrethrrotullimi, është shëtitorja në pjesën e veriut. Janë disa punë që duhet të kryhen”, ka thënë Bahtiri për lajmi.net.

I pari i Mitrovicës ka thënë se të gjitha detajet janë në marrëveshje për atë se çka duhet të arrihet, por sipas tij, më e rëndësishmja është hapja e urës dhe qarkullimi i njerëzve.

“Është e përcaktuar dhe me marrëveshja çka duhet të arrihet, por kryesorja dhe më e mira është se ura do të lëshohet për të gjithë qytetarët, do të bashkohet qyteti dhe kjo është kryesore dhe normalizimi i gjendjes, kjo është për neve më interesante”, ka thënë Bahtiri.