Bahtiri ndjehet i tradhtuar nga drejtuesit e shtetit për bashkimin e Mitrovicës, mbështet kandidatin e VV-së për kryetar komune

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka pritur sot në takim kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës veriore, Erden Atiq.

Bahtiri ka theksuar se e mbështet fuqishëm kandidatin e VV-së në këtë garë zgjedhore.

“Besoj që do të jetë zë i fuqishëm dhe person i denjë për t’i quar proceset përpara në të mirë të të gjithë qytetarëve që jetojnë në pjesë veriore të qytetit të Mitrovicës. Duke e parë situatën aktuale në Mitrovicë jam i dëshpëruar me drejtuesit e shtetit të Republikës së Kosovës, të cilët më tradhtuan në pikësynimin tim për bashkimin e qytetit, ku vetëm më përkrahën moralisht derisa e dorëzova peticionin dhe më pas heshtën e nuk vepruan për ta dërguar këtë iniciativë ligjore në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Bahtiri.

Postimi i plotë:

Ishte kënaqësi të takohem me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të komunës Mitrovicës, z. Erden Atiq, të cilin në emrin tim dhe në emër të AKR-së e mbështes fuqishëm në këtë garë zgjedhore. Besoj që do të jetë zë i fuqishëm dhe person i denjë për t’i quar proceset përpara në të mirë të të gjithë qytetarëve që jetojnë në pjesë veriore të qytetit të Mitrovicës.

Duke e parë situatën aktuale në Mitrovicë jam i dëshpëruar me drejtuesit e shtetit të Republikës së Kosovës, të cilët më tradhëtuan në pikësynimin tim për bashkimin e qytetit, ku vetëm më përkrahën moralisht derisa e dorëzova peticionin dhe më pas heshtën e nuk vepruan për ta dërguar këtë iniciativë ligjore në Kuvendin e Kosovës.

Sikur të ishte mbajtur premtimi nga Presidenca dhe Kuvendi, sot nuk do të kishim pasur nevojë t’i shpallim zgjedhjet në këtë komunë, por do të ishin shpallur për një komunë të përbashkët, ku do të kandidoja edhe unë për kryetar.

Më vjen keq që sot disa udhëheqës shtetëror dalin me komunikata se janë për bashkimin e Mitrovicë, sepse ata asnjëherë nuk dëshmuan që janë për bashkimin e qytetit. Të njëjtit nuk kanë nevojë të dalin nëpër media, por nëse duan bashkimin e qytetit të Mitrovicë le ta dërgojnë në Kuvend peticionin që e kam dorëzuar unë dhe kështu të kalojnë nga fjalët e tyre boshe në vepra. Prandaj, kërkoj nga Kadri Veseli që ta bënë këtë veprim ose le të mos flet.