Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në takimin me përfaqësuesit e UNHCR-it ka potencuar problemin e 12 mijë shqiptarëve, të cilët janë dëbuar nga veriu i Mitrovicës dhe tani jetojnë në jug, si refugjatë në qytetin e tyre.
Nëpër komuna të Kosovës janë duke u bërë përgatitjet për hartimin e planeve komunale për të zhvendosurit dhe për zgjidhje të qëndrueshme të çështjes së tyre.
Strategjia, apo Plani Komunal për të Zhvendosurit është duke u hartuar edhe në komunën e Mitrovicës, e cila është e njohur në Kosovë në numër të madh të të zhvendosurve, të cilët jetojnë si refugjatë në qytetin e tyre, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Shumica prej tyre paguajnë qira, pasi që komuna nuk ka mjete për t’ua siguruar banimin, ndërsa serbët e veriut nuk lejojnë kthimin e tyre në shtëpi dhe banesa të veta.
Hartimi i planeve komunale për të zhvendosurit mbështetet nga UNHCR-i, por për ndryshim nga komunat tjera, Mitrovica ka specifikat e veta sa u përket të zhvendosurve.
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe zyrtari i komunës për kthim dhe komunitete në komunën e Mitrovicës, Bedri Sadiku, kanë biseduar në Mitrovicë me dy përfaqësues të UNHCR-së në Kosovë, Besim Alaj dhe Besim Shkololli, të cilët kanë njoftuar për aktivitetet e deritashme nëpër komunat e Kosovës për hartimin e planeve komunale për të zhvendosurit dhe zgjidhje të qëndrueshme, duke theksuar bazën ligjore për nxjerrjen e këtyre dokumenteve.
Por përfaqësuesit e UNHCR-it janë përballur me kundërshtimet e komunarëve të Mitrovicës, të cilët kanë vërejtur se të dhënat që ka UNHCR-i për Mitrovicën nuk janë fare reale.
Ata kanë shtruar edhe çështjen e 12 mijë shqiptarëve të dëbuar nga veriu i Mitrovicës, të cilët jetojnë refugjatë në qytetin e tyre në jug, për shkak se serbët e veriut nuk lejojnë kthimin e tyre në pronat e tyre në veri.