Bahreini hap hapësirën e tij ajrore për fluturimet EBA-Izrael

Bahreini njoftoi se lejon përdorimin e hapësirës së tij ajrore për fuluturimet që do të zhvillohen mes Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të agjencisë së lajmeve BNA të Bahreinit, të cilin e bazon mbi një zyrtar nga Autoriteti i Aviacionit Civil, bëhet e ditur se është miratuar kërkesa e qeverisë së Abu Dabit për përdorimin e hapësirës ajrore të Bahreinit për fluturimet e ndërsjella që do të zhvillohen në EBA nga “të gjitha vendet”.

Me vendimin në fjalë avionëve izraelitë u hapet rruga për përdorimin e hapësirës ajrore të Bahreinit në fluturimet që do të realizojnë në EBA.

Gjithashtu edhe Arabia Saudite ditë më parë lejoi përdorimin e hapësirës së saj ajrore për fluturimet e ndërsjella që do të realizohen në EBA nga të gjitha vendet. Fluturimi i parë komercial mes Tel Avivit dhe Abu Dabit u realizua ditën e hënë. Qeveria saudite për herë të parë në historinë e saj lejoi që një avion i kompanisë ajrore të Izraelit të përdorë hapësirën e saj ajrore.

Delegacioni izraelit pas takimeve në EBA, kthimin për në Tel Aviv e kreu duke përdorur hapësirën ajrore të Arabisë Saudite.

Arabia Saudite nuk lejonte që avionët e Izraelit të përdornin hapësirën e saj ajrore për shkak se nuk kishte marrëdhënie diplomatike me këtë vend.