Bahrein, ndërron jetë në moshën 84-vjeçare kryeministri Al Khalifa

Oborri Mbretëror i Bahreinit ka njoftuar se në moshën 84-vjeçar ka ndërruar jetë kryeministri Khalifa bin Salman Al Khalifa përderisa po merrte trajtim në një spital në SHBA, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Me urdhër të Madhërisë së tij, Mbretit Hamad bin Isa Al Khalifa, Oborri Mbretëror me pikëllim njofton vdekjen e kryeministrit, Lartmadhërisë së Tij Mbretërore, Princi Khalifa bin Salman Al Khalifa, mëngjesin e sotëm në klinikën e spitalit Mayo në SHBA”, tha oborri mbretëror në një deklaratë të lëshuar nga agjencia zyrtare e lajmeve e Bahreinit (BNA).

Oborri mbretëror tha se funerali i kryeministrit Al Khalifa do të mbahet në Bahrein dhe do të jetë i kufizuar vetëm me anëtarët e familjes.

Shteti i Gjirit shpalli një javë ditë zie, periudhë gjatë së cilës flamujt do të valëviten në gjysmë shtizë dhe po ashtu institucionet qeveritare do të mbyllen për tre ditë duke filluar nga nesër.