Baerbock: Rusia u vetëpërjashtua nga G7-a

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock deklaroi se nuk e sheh Rusinë t’i bashkohet Grupit të Shtatë vendeve të industrializuara në një të ardhme të afërt.

”Është padyshim shumë e dhimbshme që Rusia e përjashtoi veten nga ky grup duke aneksuar Krimenë”, theksoi ajo duke iu referuar veprimeve të Moskës në gadishullin e Detit të Zi në vitin 2014.

“Për momentin, nuk është e parashikueshme se kur Rusia do të jetë në gjendje të kthehet në këtë grup dhe përshkallëzimi aktual nuk e bën situatën më të lehtë”, theksoi Baerbock.

”Pas veprimeve agresive të Rusisë në vitin 2014, ishte e drejtë të bëhej e qartë se mbi këtë bazë nuk ishte e mundur të vazhdohej thjesht axhenda e politikës ekonomike”, shtoi ajo.

G7 përfshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadanë, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Japoninë.

Gjermania do të marrë presidencën e radhës të G7-s nga Britania e Madhe më 1 janar. /atsh