Shqiptarët tanimë i kanë dy kryeministra të dijshëm e të faktorizuar brenda dhe jashtë vendit, mirëpo si asnjëherë më parë, këto dy kryeministra për çështje madhore janë në kundërshtime të thella njëri me tjetrin. Njëri përuron Ballkanin e Hapur duke e mbyllur Kosovën, kurse tjetri nuk sheh shtigje jashtë parimeve dhe kushteve të Bashkimit Evropian, aq më tepër ta kërcënojë integrimin me alternativa tjera, siç po bën Rama.
Nga: Iljasa SALIHU, Kumanovë
Nëse pyesim se kush është babai i kombit shqiptarë, baballarët e kasabave tona do t’i kapte xanxa, ngaqë në këtë pyetje fjala babë assesi nuk mund të jetë në njëjës. Historikisht kemi pasur probleme me njohjen e autoritetit që rrjedhë nga mesi jonë, kurse ndryshe kemi qenë kur ishte fjala për autoritetet që vijnë nga jashtë dhe për rrjedhojë sot njëzëri dhe zyrtarisht nuk pranohet një babë i kombit shqiptar dhe në anën tjetër shumë sosh e ndiejnë vetëm për babë të kombit. Fjala vjen, derisa Haxhi Qamili kërkonte kthimin e vendit nën udhëheqjen osmane, një pjesë tjetër shqiptare e kishin pranuar për udhëheqës të tyre princ Vidin, pra një joshqiptar, kurse nuk ishte punë që shqiptarët në ujdi të plotë ta kërkonin një udhëheqës shqiptar. Së fundmi në cilësinë e një përshtypje të pacertifikuar, Edi Rama sillet e flet sikur të ishte babai i kombit shqiptar, madje në dukjen edhe përngjanë me Ismail Bej Vlorën, edhe pse as ky i fundit zyrtarisht dhe njëzëri nuk njihet si babai i kombit shqiptar, siç njihet për shembull, Gjorgj Uashingtoni si babai i kombit amerikan, apo Mahatma Gandi si babai i kombit indian,mirëpo këtë përshtypje të pa certifikuar, Rama nuk po e përdorë për bashkim, siç rëndom i takon një prindi, por sillet sikur dëshiron ta dënojë dikë e ndonjë tjetër ta përjashtojë prej qerthullit të tij familjar, krejt si rrjedhojë e inateve me një kryeministër tjetër shqiptar, ku si rrjedhojë e të kaluarës së tij që shoqërohej me qëndrueshmëri trupore e mendore, gjerësisë së tij diturore e politike, kryeneçësisë së tij, Kurti tepër vështirë e ka ta pranojë autoritetin e dikujt tjetër, kur janë në pyetje vendimet e mëdha për kombin shqiptar. Për rrjedhojë, inatet po dalin shumë më të mëdha sesa nismat konkrete që do t’i afronin shqiptarët mes vete.
Bashkimi i shqiptarëve në një shtet të vetëm, vazhdon të mbetet një ligjërim i mirë për fushata zgjedhore, për tribuna partiake dhe kryesisht për partitë opozitare. Është temë që ende i nxitë duart për duartrokitje, mirëpo kur vjen puna në hapa konkrete, duart fillojnë të tkurren dhe fillojnë të qëmtohen me qindra arsye se pse një gjë e tillë është e pamundur. Kryeministri i Kosovës, i cili përmes kauzës së bashkimit shqiptar ka arritur ta tërheqë një pjesë jo të vogël të simpatisë, së fundmi na tregoi se bashkimin me Shqipërinë nuk e lejon kushtetuta e Kosovës. Me këtë deklaratë dhe me fashitjen e kësaj teme nga fjalori i tij, nënkuptohet se ligjërimi i kësaj teme i përket tribunave partiake dhe partive opozitare, pse jo edhe poezive në netët poetike. Mbase këtë ligjërim politikanët shqiptarë e përdorin edhe si jorgan për t’i mbuluar dështimet!
Si rrjedhojë e kësaj atmosfere, kryeministri i Shqipërisë, i cili është më pragmatistë dhe njeri fare pa komplekse, njëherësh duke e parë se Shqipëria gjithnjë e më tepër po largohet prej integrimit në Bashkimin Evropian, ka filluar të hedhë hapa konkrete në integrime rajonale, ku një vend të veçantë i jepet Serbisë dhe në anën tjetër tërthorazi e përjashton Kosovën, duke u thelluar kështu edhe më tepër jazi i mosmarrëveshjeve me Albin Kurtin, mbase jo rastësisht bashkëpunimi i parë ndërministror rrodhi mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në vend që të pritej edhe ca ditë deri në formimin e qeverisë së Shqipërisë dhe disa marrëveshje të tilla së pari dhe fillimisht të rridhnin mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Shqiptarët tanimë i kanë dy kryeministra të dijshëm e të faktorizuar brenda dhe jashtë vendit, mirëpo si asnjëherë më parë, këto dy kryeministra për çështje madhore janë në kundërshtime të thella njëri me tjetrin. Njëri përuron Ballkanin e Hapur duke e mbyllur Kosovën, kurse tjetri nuk sheh shtigje jashtë parimeve dhe kushteve të Bashkimit Evropian, aq më tepër ta kërcënojë integrimin me alternativa tjera, siç po bën Rama. Mirëpo, nuk është çështja vetëm te mospajtimi i metodologjisë së integrimit në BE, por te mungesa e nismave të bashkëpunimit mes këtyre dy shteteve. Shqipëria dhe Kosova para se të kenë nevojë për një Ballkan të Hapur, ato kanë nevojë për një Kosovë të hapur ndaj Shqipërisë dhe për një Shqipëri të hapur ndaj Kosovës, për një çështje shqiptare të hapur, për një mbrothësi shqiptare, për një fuqizim vëllazëror, për arsye se është e dhimbshme të bashkëpunosh me ish ministrin e Millosheviqit pa e kushtëzuar fare kur është fjala për Kosovën dhe në anën tjetër ta injorosh ish të burgosurin politik të regjimit të Millosheviqit. Ndonëse, kryeministri i Shqipërisë mund ta ketë dertin e ekonomisë së vet, ku si rrjedhojë e marrëdhënieve të mira me Serbinë, këtë verë turizmi nga Serbia ishte rritur dukshëm krahas viteve tjera, mirëpo përskaj kësaj dhe përtej inateve me Kurtin, Rama si një njeri me përvojë më të madhe në politikë dhe si një njeri që udhëheq me shtetin amë të të gjithë shqiptarëve, duhet të sillet më me dinjitet me Kosovën, në mos si babai i kombit, të paktën si një djalë i mirë i babait të kombit, edhe pse babën e kombit vështirë se mund ta gjejmë ndonjëherë, jo pse ai nuk ekziston, ose nuk i përket një kohe të caktuar, por ngaqë ekziston egoja e politikanëve tanë aq e madhe, sa një babë të kombit e sheh si një saç mbi kokë, ku në vend të pjekjes mendore, atë e shohin si një djegie njerëzore. /shenja