Sot do të kem intervistën e parë në jetën time për të marrë një punë prestigjioze në një nga kompanitë e mëdha.
Nëse pranohem, do të largohem pa kthim nga kjo shtëpi e zymtë dhe do të çlirohem nga babai im dhe qortimet e tij të vazhdueshme.
U zgjova herët në mëngjes, u pastrova dhe vesha rrobat më të bukura, u parfumosa dhe isha gati të dilja kur ndjeva një dorë që më preku në shpatull pranë derës.
U ktheva dhe pashë babain tim duke buzëqeshur, megjithëse sytë e tij ishin të zbehur dhe simptomat e sëmundjes dukeshin qartë në fytyrën e tij.
Më dha disa para dhe më tha: “Dua që të jesh pozitiv, i sigurt në veten tënde dhe mos u trondit nga asnjë pyetje.”
E pranova këshillën me ngurrim dhe buzëqesha ndërsa nga brenda po mendoja. Edhe në këto momente nuk pushon së dhëni këshilla, sikur të kishte qëllim të prishte humorin tim në momentet më të lumtura të jetës sime.
Dola nga shtëpia me nxitim, mora një taksi dhe shkova drejt kompanisë.
Sapo arrita dhe hyra nga porta e kompanisë, u befasova shumë!!!
Nuk kishte roje te dera as staf për pritje, vetëm tabela orientuese që të çonin në vendin e intervistës.
Sapo hyra në derë, vura re që doreza e derës ishte dalë nga vendi dhe ishte në rrezik të thyhej nëse dikush e godiste.
U kujtova për këshillën e babait tim kur dola nga shtëpia që të jem pozitiv, kështu që menjëherë e vura dorezën në vendin e saj dhe e vendosa mirë.
Pastaj ndoqa tabelat orientuese dhe kalova nëpër kopshtin e kompanisë, ku pashë se rrugicat ishin të mbushura me ujë që derdheshin nga një vaskë që ishte mbushur deri në fund. Dukej se kopshtari ishte shpërqendruar. I kujtova qortimet e babait tim për harxhimin e ujit, kështu që hoqa zorrën nga vaska e mbushur dhe e vendosa në një vaskë tjetër, duke zvogëluar rrjedhën e çezmës që të mos mbushej shpejt derisa të kthehej kopshtari.
Pastaj hyra në ndërtesën e kompanisë duke ndjekur tabelat dhe gjatë ngjitjes në shkallë, vura re një numër të madh llampash të ndezura, megjithëse ishte ditë. Pa dashje i fika ato nga frika e britmave të babait tim që më thoshte kurseje rrymën.
Kur arrita në katin e sipërm, u befasova nga numri i madh i aplikantëve për këtë punë.
Shënova emrin tim në listën e aplikantëve dhe u ula të prisja radhën time, duke vëzhguar fytyrat dhe veshjet e të pranishmëve, deri sa fillova të ndjehem inferior për rrobat dhe pamjen time në krahasim me atë që pashë. Disa mburreshin me diplomat e tyre nga universitetet botërore.
Pastaj vura re që kushdo që hynte në intervistë, dilte brenda një minute.
Thashë me vete: “Nëse këta me elegancën dhe diplomat e tyre janë refuzuar, a do të pranohem unë???”
Kështu që mendoja të tërhiqesha dhe të largohem nga kjo garë e humbur me dinjitet përpara se të më thonin “na vjen keq”.
E kujtova këshillën e babait tim kur dola nga shtëpia: “Dua që të jesh pozitiv dhe i sigurt në veten tënde.” Kështu që qëndrova duke pritur radhën time, sikur fjalët e tij më dhanë një energji të jashtëzakonshme vetëbesimi.
Nuk kaluan disa minuta dhe punonjësi thirri emrin tim për të hyrë.
Hyra në dhomën e intervistës dhe u ula në karrige përballë tre personave që më shikuan dhe buzëqeshën gjerësisht. Pastaj njëri prej tyre më pyeti: “Kur dëshiron të fillosh punën?”.
U trondita për një moment dhe mendova se po talleshin me mua ose se ishte një nga pyetjet e intervistës dhe pas kësaj pyetjeje kishte diçka tjetër.
E kujtova këshillën e babait tim kur dola nga shtëpia që të mos tronditesha dhe të isha i sigurt në veten time.
Kështu që u përgjigja me plot besim: “Pasi të kaloj testin me sukses, inshAllah.”
Tjetri tha: “E ke kaluar testin dhe gjithçka mbaroi.”
I thashë: “Por askush nga ju nuk më bëri asnjë pyetje!!!”
Tjetri tha: “Ne e dimë shumë mirë që vetëm me bërjen e pyetjeve nuk mund të vlerësojmë aftësitë e asnjë prej aplikantëve.
Prandaj vendosëm që vlerësimi ynë për personin të jetë praktik…
Dizajnuam një grup testesh praktike që na tregojnë sjelljen e aplikantit, shkallën e pozitivitetit që ka dhe kujdesin për burimet e kompanisë. Ti ishe i vetmi person që tentoi të rregullonte çdo defekt që e vendosëm qëllimisht në rrugën e çdo aplikanti, dhe këtë e dokumentuam përmes kamerave të sigurisë të vendosura në të gjitha korridoret e kompanisë.”
Atëherë u zhdukën të gjitha fytyrat përpara syve të mi dhe harrova për punën dhe intervistën dhe gjithçka…
Nuk shihja tjetër veçse figurën e babait tim!!!
Ajo derë e madhe që nga jashtë duket e ashpër, por brenda ka mëshirë, dashuri, dhembshuri dhe qetësi.
Ndjeva një dëshirë të madhe për t’u kthyer në shtëpi dhe për t’u ulur për të puthur duart dhe këmbët e tij.
Pse nuk e kam parë babanë tim më parë???
Si kanë qenë sytë e mi të verbër për të???
Për dhënien pa pritur shpërblim…
Për dashurinë pa kufij…
Për përgjigjen pa pyetje…
Për këshillën pa ja kërkuar…
Mos u ankoni për këshillat e baballarëve tuaj, sepse pas tyre qëndron një dashuri e madhe që do ta kuptoni një ditë… kur të jeni në vendin e tyre… Zot, mëshiroji ata siç më rritën të vogël.
Nga arabishtja Korab Hajraj