Ai tha: Jam i trishtuar sepse Zoti më ka dhënë vetëm vajza dhe unë doja një djalë, që të mbante mbiemrin tim. Kështu më tha njëri që ishte ulur pranë meje në avion.
I thashë: Myzhde për ty sepse ti je në Xhenet, Myzhde për ty sepse ti do jesh së bashku me Profetin (a.s) dhe gjithashtu myzhde për ty sepse ti do të jesh larg nga Zjarri.
Ai më shikoi me habi, i befasuar nga reagimi im ndaj trishtimit të tij dhe tha: Unë po të qaj hallin dhe ti gëzohesh përse Zoti më ka dhënë vajza në vend të djemve?!
I thashë: Para se t’i përgjigjem pyetjes tënde, dua të të them përsëri myzhde për ty, sepse ti je nga “grupi i parë.
Ai tha: Ma shkoqit pak këtë enigmë!
I thashë: “Grupi i parë” është një shprehje e shejhut tonë të nderuar Ali Tantaui (Allahu e mëshiroftë), i cili kishte pesë vajza dhe as një djalë. Kur dikush e pyeste; A ke ndonjë djalë? Ai përgjigjej: Unë jam nga grupi i parë, sepse Zoti thotë: “Ai i jep kujt të dojë vajza dhe i jep kujt të dojë djem” Kështu, pra në këtë ajet, Zoti ka përmendur në fillim vajzat pastaj djemtë. Ky është kuptimi i “grupit të parë.”
Ai buzëqeshi dhe tha: Për Zotin, më inkurajove me këtë fjalë.
I thashë: Do të të inkurajoj edhe më shumë kur të mësosh se je si dy profetë që nuk u bekuan me djem, por vetëm me vajza. A i di kush janë ata të dy?
Ai u mendua pak dhe tha: Nuk e di se kush janë ata të dy.
Profeti Lut (a.s) kishte katër vajza, dhe profeti ynë Muhamed (a.s) nuk pati djem, ata vdiqën kur ishin të vegjël, dhe i mbetën katër vajza. Prandaj, imam Ahmed ibn Hanbelit kur i lindi vajza, tha: Profetët janë baballarë të vajzave.
Ai tha: Këto fjalë më dhanë shpresë, por përse në fillim më përgëzove me Xhenet dhe që jam larg nga Zjarri?
I thashë: Hyrja jote në Xhenet, distancimi yt nga Zjarri dhe shoqërimi me Profetin e nderuar në Ditën e Kijametit është i lidhur me katër kushte që duhet t’i përmbushësh me vajzat e tua.”
Ai tha: Cilat janë janë këto kushte?
I thashë: E para është që të tregosh mirësi ndaj tyre, e dyta është që t’i mbështetësh ato, e treta është që t’i sigurosh ato, dhe e katërta është që të tregosh mëshirë ndaj tyre.
Ai pyeti: Nga i ke nxjerrë këto fjalë dhe këto kushte?
I thashë: Nga tre hadithe të Profetit të nderuar që lavdërojnë ata që janë të bekuar me vajza.
Ai tha: Mi trego këto hadithe!
I thashë: Hadithi i parë tregon se shpërblimi për vajzat është një nga arsyet që ndihmon në shmangien e hyrjes në Zjarr, sepse Profeti (a.s) ka thënë: “Kushdo që do të jetë i sprovuar me vajza dhe i trajton mire ato, ato do t’i shërbejnë atij si mburojë nga zjarri.” Hadithi i dytë thotë se vajzat janë arsye që të shoqërohesh me Profetin e nderuar në Ditën e Kijametit, sepse ai (a.s) ka thënë: “Kushdo që kujdeset për dy vajza deri sa ato të rriten, në Ditën e Kijametit, unë dhe ai do të jemi si këto dy gishta. dhe Profeti bashkoi gishtat e tij.” Hadithi i tretë thotë se vajzat janë arsye që të hysh në Xhenet, sepse Profeti (a.s) ka thënë: “Kush ka tri vajza dhe i mbështet ato, i siguron dhe i trajton me mëshirë, me siguri do të shkojë në Xhenet” Një njeri nga turma e pyeti: “Edhe nëse ka dy vajza, o Profet?” Ai përgjigj: “Po, edhe dy.”
Ai tha: Hadithe të bukura që të japin shpresë dhe dëshiroj t’i var në sallonin e shtëpsië, që gruaja ime të ndihet e lumtur me këto myzhde, sepse edhe ajo është e trishtuar si unë. Me këto fjalë më bëtë që t’i dua më shumë vajzat e mia.
I buzëqesha dhe i thashë: Mbase sekreti pas këtyre myzhdeve profetike qëndron në faktin se vajza ka nevojë për një kujdes të veçantë. Ajo është ndryshe nga djali përsa i përket ndjeshmërisë, ndjenjës dhe butësisë, ajo do që të trajtohet me dashuri dhe kujdes të veçantë që të ndihet e vlerësuar dhe të jetë më e qetë shpirtërisht. Gjithashtu një arsye tjetër është se arabët në periudhën para-Islame nuk i jepnin vlerë gruas dhe thoshin: “Varrosja e vajzave për së gjalli është një akt nderi” dhe po ashtu ata i përdornin vajzat si një mjet fitimprurës. Por Islami e ngriti statusin e saj dhe e bëri dallimin mes vajzës dhe djalit në bazë të devotshmërisë dhe jo sipas gjinisë, duke i dhënë asaj një vlerë të madhe. Kjo është arsyeja që, Aishja (r.a) u bë një nga shtatë njerëzit më të dijshëm dhe më të njohur të Medinës. Një grua ndjehet më e lumtur kur gëzon një status social sesa kur ka para. Ajo dëshiron të jetë një grua e ditur dhe e respektuar, dhe ka një ndryshim të madh midis këtyre dy gjërave. Gruaja ndjen siguri kur mbështetet te një burrë që e mbron, e mbështet dhe qëndron pranë saj. Prandaj, ajo është gjithmonë e lidhur me babanë e saj dhe siç thuhet: “Çdo vajzë është e mahnitur me babanë e saj.” Nëse ajo humb babain ose ai vdes, ajo ndjen një boshllëk të madh në jetën e saj dhe dëshiron që bashkëshorti i saj ta plotësojë këtë boshllëk, përndryshe do të vazhdojë të kërkojë dikënd që ta mbushë këtë mungesë.
Po ashtu, gruaja është fabrika e “dashurisë” dhe përhapjes së saj. Një shoqëri ose shtëpi pa dashuri bëhet e vdekur. Gruaja është krijesa e vetme që mund të ofrojë dashuri pa kushte, dhe kjo quhet “dashuria e nënës“. Ajo nuk vendos kushte për dashurinë, dhe kjo dashuri është ajo që e bën njeriun të qëndrueshëm dhe të gatshëm për të dhënë. Dashuria e gruas është një lloj dashurie që nuk mund të krahasohet me asnjë dashuri tjetër në botë. Për këtë arsye, Profeti (a.s) ka thënë: “Jeta është një kënaqësi, dhe kënaqësia më e mirë në të është gruaja e virtytshme.”
Ai tha: Kjo është di=ka e rëndësishme dhe e bukur.”
Unë i thashë: Pikërisht për këtë arsye, duhet të tregojmë kujdes për vajzat në aspektin social, arsimor, shëndetësor, ligjor, sportiv dhe argëtues, sepse ato janë zemra e shoqërisë. Dhe nuk është çudi që Profeti (a.s) lavdëroi dashurinë e nënës tek gratë e kurejshëve kur tha:“Gratë më të mira që kanë udhëtuar mbi deve janë gratë e kurejshëve: ato janë më të kujdesshmet ndaj fëmijëve të tyre në fëmijëri dhe më të dashurat dhe më të kujdesshmet ndaj bashkëshortëve të tyre.”Ajo që i dallonte gratë e fisshme të kurejshëve ishin dashuria, dhembshuria dhe butësia, si ndaj fëmijëve ashtu dhe ndaj burrave të tyre.
Kur avioni mbërriti në destinacion, biseda me “Babanë e vajzave” mbaroi.
Autor: Xhasim Mutaua
Përktheu: Elton Harxhi