Judah Cohen, babai i pengut izraelit Nimrod Cohen, tha se kryeministri Benjamin Netanyahu ka kryer “krime lufte” jo vetëm në Rripin e Gazës, por edhe në Izrael, transmeton Anadolu.
Duke folur për Radion 103 të Izraelit, Cohen tha se donte të takohej me Kryeprokurorin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) Karim Khan, duke theksuar: “Unë synoj t’i them atij se Netanyahu ka kryer krime lufte jo vetëm në Gaza, por në të njëjtën kohë ka kryer krime lufte edhe në Izrael. Ushtarët izraelitë po vdesin për shkak të luftës që vazhdon për shkak të arsyeve personale të Netanyahut dhe gjykimit të tij (për korrupsion), kështu që Netanyahu është përgjegjës edhe për gjenocidin, edhe për krimet e luftës në Izrael”.
Duke i cilësuar sulmet e kryera në Gaza si “të kota”, Cohen tha se sulmet kanë shkaktuar vetëm vdekjen e më shumë ushtarëve izraelitë.
“Qeverinë e udhëhequr nga Netanyahu unë e shoh si një qeveri që po kryen krime kundër shtetit të Izraelit”, deklaroi Cohen i cili tha se qeveria izraelite nuk punon për popullin.
Judah Cohen mbrojti idenë se kryeministri Netanyahu, që në janar të vitit të kaluar përpara sulmeve në Rafah, mund të kishte bërë marrëveshjen për armëpushimin dhe shkëmbimin e pengjeve, që do t’i mundësonte kthimin e djalit të tij, por ai nuk ra dakord për këtë.
Opozita dhe familjet e pengjeve e akuzojnë Netanyahun se ka hequr dorë nga pengjet dhe i ka lënë ata të vdesin në Rripin e Gazës, duke imponuar kushte të pamundura që do të minonin një marrëveshje me Hamasin “për të ndalur luftën”, dhe për një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve.
Kujtojmë se në burgjet izraelite mbahen më shumë se 10 mijë palestinezë, ndërsa vlerësohet se Hamasi mban 99 pengje izraelite.
Hamasi kishte njoftuar se dhjetëra pengje që ai posedonte kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të izraelite pa bërë dallim.