Vazhdon të jetë në gjendje të rëndë i riu shqiptar në Marsejë, Florenc Beqiraj.
Ai mbahet në jetë falë aparaturave por familja e tij ka shpresë se ai do të kthehet shëndoshë e mirë në Shqipëri.
Ditën e sotme ka folur për Report Tv babai i tij i cili udhëtoi drejt Francës për të parë nga afër gjendjen e të birit i cili është në koma.
“Gjendja e djalit është njësoj, në aparatura. Mjekët thonë se nuk i funksionon truri. Sot thanë që i ka ndaluar edhe zemra, po e mbajmë në jetë me aparatura.
Edhe pse është gjallë djali, këta duan ta mbysin. Unë e dua djalin gjallë, dua ta lë ashtu, unë për vete nuk hedh firmë.
Unë jetoj në Mal të Zi familjarisht, bashkë me vëllezërit. Kemi ikur për shkak të kushteve të vështira ekonomike.
Djali ka qenë në Francë ku ka kaluar azil ekonomik. E morëm vesh përmes një kushërire të kunatit tim se djalin e kemi brenda në rajon të policisë.
Kam folur në telefon dhe më ka thënë se do kthehem për 2-3 ditë. Vonuan 5-6 dhe e morëm në telefon oficerin e policisë dhe na thanë se Florenci është i vdekur dhe e kemi dërguar në spital.
As ambasadori dhe asnjë zyrtar tjetër nuk ka ardhur të pyesë. Kur jam ulur prej aeroportit në Marsejë kam folur në telefon me ambasadorin, më ka folur si njeri rrugësh.
Ai paguhet me taksat e qytetarëve shqiptarë dhe është atje për t’u kujdesur për ne atje. Sot i ka ndodhur djalit tim, por nesër do t’i ndodhë dikujt tjetër.
Kishte shenja në duar dhe në fyt, shenja teli. Është përpjekur të vetëmbrohet. Kjo është vrasje profesionistësh, nuk është e mundur që djali të ketë tentuar të vrasë veten.
Ka shenjën e telit në qafë e në dorë. S’është vetëvrasje po vrasje, është përpjekur të shpëtojë. Më mirë të mos ia kishin vënë fare aparaturat e të ma sillnin të vdekur në shtëpi se sa të ma torturonin kështu djalin”- ka deklaruar babai i Florenc Beqiraj. /albeu.com/