Azilkërkuesit në Serbi po përballen me një problem të ri teksa shumë pronarë shtëpish refuzojnë t’i japin atyre me qira apartamente, thotë një OJQ që i ndihmon ata të kërkojnë shtëpi.
Azilkërkuesit e regjistruar në Serbi të cilët kanë leje të kërkojnë vetë për strehim janë refuzuar nga “qindra” pronarë, duke e bërë të vështirë kërkimin e shtëpive të reja, lajmëroi OJQ-ja Qendra e Përgjigjeve dhe Politikave ndaj Krizave, e cila ndërmjetëson me pronarët dhe azilkërkuesit.
“Bëjmë qindra telefonata dhe mbase katër ose pesë nga njëqind [pronarë] bien dakord që të na tregojnë apartamentin, megjithëse deri kur mbërrijmë te ata disa kanë ndryshuar mendje”, thotë Branislava Pokusevski Kumalakanta, koordinatore e projektit në Qendrën.
Ajo i tha BIRN se pronarët përgjigjen negativisht “në 90 për qind të rasteve”, sapo marrin vesh se apartamenti është për një shtetas të huaj që kërkon azil.
Numri i azilkërkuesve të cilët kërkojnë shtëpi nuk është i madh. Serbia po i proceson ngadalë kërkesat për azil, kryesisht për shkak të mungesës së personelit në Zyrën Kombëtare për Azil dhe shumica dërrmuese e aplikimeve refuzohen.
Sipas statistikave të Zyrës Kombëtare për Azil, nga 151 kërkesa në gjashtë muajt e parë të vitit 2017 asnjëra nuk është pranuar, ndërsa 28 personave u është mohuar azili. Në 2016, 105 aplikantë u refuzuan dhe vetëm 19 u pranuan.
Nga numri i vogël i aplikantëve të pranuar, një numër edhe më i vogël aplikon për leje për të kërkuar vetë strehim, për të dalë nga qendrat e azilit.
Sipas UNHCR në Serbi, Zyra Kombëtare për Azil ka lëshuar 15 leje të tilla që nga fillimi i vitit 2017.
“Nëse keni para dhe mund të përballoni qiranë, [Zyra] nuk e ka problem.” tha për BIRN UNHCR.
UNHCR shpjegoi se adresa i bëhet e njohur autoriteteve që ata gjithmonë mund të kontaktojnë me azilkërkuesit gjatë procedurës për dhënien e azilit.
Pokusevski Kumalakanta thotë se Qendra e Përgjigjeve dhe Politikave ndaj Krizave ka ndihmuar gjashtë ose shtatë individë dhe familje për të gjetur një shtëpi për mbi një vit. Gjetja e një apartamenti mund të zgjasë deri në dy muaj “kërkim intensiv”.
“Kemi marrë përgjigje si ‘Nuk e dua këtë për shtëpinë time’. Kur shkuam të shihnim një apartament, [pronari] na tregoi nga dera dhe na nxori jashtë,” tha ajo.
Këshilltarja ligjore Ana Stefanoviç, nga e njëjta qendër thotë se qiradhënësit kanë pronën e tyre private ndaj kanë të drejtë të zgjedhin.
“Megjithatë, ligji nuk është shumë i saktë dhe kjo duhet të kontrollohet me Komisionerin për Mbrojtjen e Barazisë,” tha Stefanoviç.
Ajo shtoi se Qendra ka parë edhe shembuj pozitivë të pronarëve që ulnin çmimin e qirasë për azilkërkuesit.
“Zakonisht e rrisin çmimin shumë. Në një lagje të Beogradit, një person që e kishte nxjerrë apartamentin me qira për 180 euro, na tha se për ‘ta’ çmimi ishte 300,” përfundoi Pokusevski Kumalakanta. /kallxo/