Azerbajxhani dhe Armenia miratojnë rregulloren e përbashkët të komisioneve për përcaktimin e kufijve

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe presidenti i Armenisë, Vahagn Khachaturyan

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe presidenti i Armenisë, Vahagn Khachaturyan, miratuan rregulloren e përbashkët që rregullon parimet e punës së komisioneve që kanë detyrën për përcaktimin e kufijve të dy vendeve, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e publikuar nga Presidenca e Azerbajxhanit, thuhet se Aliyev ka nënshkruar dekretin lidhur me miratimin e Rregullores së Aktiviteteve të Përbashkëta të Komisioneve për përcaktimin e Kufirit Shtetëror dhe Sigurinë Kufitare mes Republikës së Azerbajxhanit dhe Republikës së Armenisë.

Edhe në deklaratën e bërë nga Presidenca e Armenisë theksohet se Khachaturyan ka nënshkruar ligjin e miratuar më 23 tetor në Parlamentin Kombëtar lidhur me rregulloren në fjalë.

Për përcaktimin e vijës kufitare të dy vendeve, u krijua një komision i përbashkët nën kryesimin e zëvendëskryeministrit të Azerbajxhanit, Shahin Mustafayev dhe zëvendëskryeministrit të Armenisë, Mher Grigoryan.

Komisioni i cili mblidhet në periudha të rregullta, më 30 gusht miratoi rregulloren e përbashkët që rregullon parimet e punës.