Azerbajxhani dërgon 200 tonë ndihma ushqimore në Siri

Azerbajxhani dërgoi në Siri ndihma humanitare të përbërë nga 200 tonë produkte ushqimore, raporton Anadolu.

Autokolona e përbërë nga 10 kamionë dhe me 200 tonë produkte ushqimore e cila u nis nga kryeqyteti Baku, u përcoll nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, Ayhan Hajizadeh në deklaratën e tij për mediat tha se autokolona do të dërgohet në qytetin Idlib të Sirisë përmes Gjeorgjisë dhe Türkiyes.

Ai theksoi se ndihmat e dërguara nga Azerbajxhani do t’u shpërndahen atyre në nevojë përmes Presidencës së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Türkiyes.

Duke kujtuar se zëvendësministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Yalchin Refiyev dje u takua në Damask me ministrin e Jashtëm të qeverisë së përkohshme siriane, Asaad Hassan Shaybani, Hajizadeh tha se në këtë takim u diskutua çështja e rihapjes së Ambasadës së Azerbajxhanit në Damask pas 12 vitesh.

“Azerbajxhani synon të mbështesë Sirinë në stabilizimin dhe rindërtimin e saj. Këto çështje zhvillohen në koordinim me Türkiyen. Ndihma jonë humanitare për Sirinë do të vazhdojë”, tha Hajizadeh.

Ministri i Jashtëm i qeverisë së përkohshme siriane, Shaybani është ftuar në Azerbajxhan dhe ftesa është pranuar, nënvizoi Hajizadeh i cili shtoi se do të jenë të kënaqur ta presin Shaybanin në Baku.