Azerbajxhanasit festojnë çlirimin e rajonit Agdam nga pushtimi armen

Azerbajxhanasit u mblodhën në rrugën e Monumentit të Dëshmorëve në kryeqytetin Baku për të përkujtuar dëshmorët dhe për të festuar çlirimin e rajonit Agdam nga pushtimi i cili qëndroi nën robërinë e Armenisë për 27 vite, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas hyrjes së ushtrisë azerbajxhanase në Agdam, qytetarët e Azerbajxhanit me flamuj të Azerbajxhanit dhe të Turqisë në duar vizituan Monumentin e Dëshmorëve.

Qytetarët uruan njëri-tjetrin dhe shprehën gëzimin e tyre me brohoritje pas intonimit të himnit kombëtar të Azerbajxhanit.

Në mesin e vizitorëve ishin të pranishëm edhe qytetarë nga rajoni Agdam të cilët nuk mund t’u përmbaheshin lotëve të gëzimit me rastin çlirimit të vendlindjes së tyre.

Abbasov Ceyhun, nga rajoni Agdam në një deklaratë për AA tha se “Territori i Karabakut u çlirua pas shumë vitesh. Falënderimet i takojnë Allahut. Më në fund erdhi dita që prisnim. Falënderoj Turqinë e cila qëndroi gjithmonë pranë nesh. Sot është një ditë që nuk do ta harroj kurrë”.

Ndërkohë edhe banori nga Agdam, Rahip Süleymanlı tha: “U pranuan lutjet tona. Ky ishte një bekim nga Allahu për ne. Territoret tona u çliruan falë solidarizimit të popullit. Qofshin të mëshiruar dëshmorët tanë. Nuk mund t‘i shpreh me fjalë ndjenjat e mia. Kam shumë gëzim. Po përjetojmë një lumturi të pashembullt”.

Rahman Hüseyinov, një tjetër qytetar nga Agdam tha se po përjeton ditën më të lumtur të jetës së tij. Duke treguar se deri më sot ka jetuar me mallin për Agdam-in, Hüseyinov shprehu falënderimet për ushtarët e Azerbajxhanit.

Edhe qytetarja Aysema Abdullayeva u shpreh “Të jetë një ditë e bekuar. Nga presidenti ynë presim udhëzimet lidhur me rikthimin tonë në territoret tona. Atje mund të jetoj edhe në çadër”.

Ndërsa Hasan Muzafferli, veterani i luftës që ka vizituar monumentin e dëshmorëve, tha se “Në front shkova si vullnetar. U plagosa në zonën Sugovushan. Jam shumë i lumtur që përpjekjet tona nuk shkuan kot. I përgëzoj të gjithë qytetarët e Agdam-it”.

Suksesi që ushtria e Azerbajxhanit arriti në operacionin e filluar më 27 shtator për çlirimin nga pushtimi të territoreve në Malësinë e Karabakut e detyroi Armeninë që të nënshkruajë armëpushimin.

Në kuadër të armëpushimit forcat e armatosura të Armenisë u larguan nga rajoni Agdam që nga 20 nëntori.