Ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, i cili po akuzohet se ishte udhëheqës i një grup kriminal në rastin e njohur si “Toka”, sot pritet të ulet në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku dhe pritet të mbahet shqyrtimi fillestar për këtë rast, raporton “zeri.info“.
Azem Syla së bashku me 39 të tjerë po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se duke funksionuar si grup janë marrë me “krim të organizuar në pastrim të parave, nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim të pozitës zyrtare; legalizimi të përmbajtjes së falsifikuar dhe Evazion fiskal”, dhe një mori veprash të tjera penale.
Prokuroria Speciale aktakuzën për rastin “Toka”, e ka ndarë në dy pjesë, ku grupin e parë e përbëjnë 22 persona me në krye me Azem Sylën.
Aktakuza ndaj këtyre të pandehurve përbëhen nga 46 pika që kanë të bëjnë me veprat penale për “Krim të organizuar; Pastrim i parave; Marrje të mitos; Mashtrim i rëndë; Mashtrim në detyrë; Nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme; Keqpërdorim i pozitës zyrtare; Legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe Evazion fiskal”.