Azbesti, materiali që na vret çdo ditë

Është cilësuar si katastrofa më e madhe natyrore e shëndetit publik dhe më e keqja është se vret në heshtje. Amianti, azbesti, eterniti cilësohet me emra të ndryshëm dhe fakt është se të gjithë e njohin, pasi është gjithkund i përdorur, por pak kush e di se mund të vrasë.

Është vërtetuar shkencërisht se fibrat e amiantit janë kancerogjenë dhe janë lehtësisht të transmetueshme në organizëm. Kur trupi është i kontaminuar prej tyre shkaktohen sëmundje si: asbestoza, pllakat pleurale, kanceri i mushkërive, mesothelioma, kanceri i laringut dhe kanceri i ovareve. Për fat të keq fibrat e azbestit mund të “flenë” në trupin e njeriut për 30-40 vjet dhe pas një perudhe kaq të gjatë ato mund të aktivizohen dhe shkaktojnë sëmundje shumë të rënda.

Dhe vështirë se në këto rrethana mund t’ju shkojë mendja që shkaktari është azbesti, materiali me të cilin dikur kishit mbuluar baraken apo materiali që keni izoluar tubacionet e kuzhinës.

Në ç’mënyrë jemi të rrezikuar nga ky material fatal, me të cilin pa ja njohur rrezikshmërinë kemi bashkëjetuar çdo ditë. Fibrat e tij mund të hyjnë lehtësisht në organizëm përmes rrugëve të frymëmarrjes dhe pas një kohe të gjatë janë të afta të shkaktojnë infeksion dhe dëme të tjera të pallogaritshme sikurse u sipërpërmendën. Të rrezikuar janë si banorët që në ndërtimet e tyre kanë elemente azbesti ashtu edhe ata që jetojnë përreth këtyre ndërtimeve apo fabrikave ku prodhohen. Për shkak të karakteristikave të veçanta të amiantit, askush nuk mund të përjashtohet nga ekspozimi ndaj tij.

Fibrat mund të transportohen edhe nëpërmjet këpucëve nga mjediset e jashtme deri në shtëpi, kështu që rreziku i kontaminimit është shumë i madh. Pavarësisht vendodhjes së këtij vrasësi të heshtur, faktorët atmosferikë dhe njerëzorë mund t’i transportojnë ato kudo, duke ekspozuar këdo ndaj këtij rreziku.

Çdo vit në botë, më shumë se 100 mijë persona po vdesin nga sëmundjet e lidhura me azbestin, shumica nga kanceri i mushkërive dhe nga mezothelioma. Në Shqipëri, edhe pse ky material vijon të përdoret në ndërtim, nuk ekzistojnë statistika për dëmet e shkaktuara prej tij.

Materiale kancerogjene

Ekziston një ligj në fuqi për ndalimin e përdorimit të tij. Pavarësisht kësaj, amianti futet ende në Shqipëri si material ndërtimi. Përveç objekteve të vjetra me mbulesa eternitësh, këto materiale të vlerësuara si kancerogjene vijojnë të përdoren në ndërtim, sidomos në formën e paneleve për tavanet e varura.

Kjo problematikë është vërejtur me shumë shqetësim përmes një studimi realizuar nga ekspertë të fushës. E ndërkohë që materialet e vjetra me përbërje azbesti duhen asgjesuar thuhet në këtë raport, përmes doganës shqiptare vazhdojnë të futen materiale të tilla të ndaluara dhe shumë të rrezikshme për shëndetin.

Nën titullin emergjenca “Amiant” në Shqipëri, autorët e këtij botimi cilësojnë se janë në qarkullim mbi 5 mijë produkte me këtë përmbajtje dhe materialet gjenden në përdorim si në zonat urbane ashtu edhe ato rurale. Ajo çfarë duket edhe më shqetësuese sipas studimit është se azbesti, një material i ndaluar edhe për Shqipërinë, po haset si mjet pune në laboratorët shkollore të kimisë.

Gjithashtu raportohet se ndeshet shpesh në mbulimin e banesave dhe izolimin e sobave të ndryshme. Ky botim hedh dritë mbi rreziqet dhe mënyrat e trajtimit të këtyre materialeve dhe për këtë kërkohet ndërhyrje e menjëhershme sipas ekspertëve. Studimi tregon qartë rrezikshmërinë, por dhe mënyrën se si duhet trajtuar dhe ngre në vëmendje ndalimin e të gjitha formave të futjes së mëtejshme në Shqipëri, të produkteve që mund të kenë në përbërjen e tyre amiant. Pra doganat duhet të mbajnë përgjegjësinë kryesore për këtë problem.

Amianti në Shqipëri ka pasur një përdorim të gjerë në vitet ’60 dhe një pjesë e mirë e objekteve me këtë element i mbajmë të trashëguara edhe sot. Ato janë një potencial i rrezikshëm për shëndetin, madje edhe asgjesimi i tyre duhet bërë në mënyrë shumë profesionale, pasi në të kundërt fibrat mund të ndosin ambientin.

Organizata Botërore e Shëndetësisë po shfaq veçanërisht një ndjeshmëri të lartë ndaj problemit, ndërsa Bashkimi Europian prej 2005-ës e ka ndaluar në mënyrë kategorike përdorimin e këtyre materialeve.

Top Channel