Gjatë mbrëmjes u raportua për një aterim urgjent në Beograd të një avioni që po udhëtonte nga Hamburgu në Prishtinë.
Fluturimi i planifikuar me 155 udhëtarë më bord, për shkaqe teknike, u detyrua të ulej në aeroportin e Beogradit.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, deklaroi se autoriteter shtetërore, në koordinim me Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, kanë qenë në komunikim dhe kordinim të vazhdueshëm me operatorin ajror “Eurowings”, për sigurinë dhe mirëqenien e udhëtarëve.
“Fluturimi i udhëtarëve për në Kosovë do të organizohet menjëherë më tutje nga operatori ajror sipas procedurave te aplikuara në raste të tilla”, u shpreh Aliu.
Ky është postimi i plotë i tij:
Informatë në lidhje me fluturimin e sotëm Hamburg – Prishtinë (Flt.EW5704)
Sot, fluturimi i planifikuar nga Hamburg – Gjermani për në Prishtine nga operatori ajror ‘Eurowings’ (Flt.Nr. EW5704), i nisur nga Hamburg në ora 14:30, me 155 udhëtar ne bord, për shkaqe teknike është detyruar të aterrojë ne aeroportin ‘Nikola Tesla’ në Beograd.
Operatori ajror Eurowings, menjëherë ka organizuar dhe ka dërguar një aeroplan alternativ (Flt. Nr. EW6005) i cili ka marrë udhëtaret e mbetur në aeroportin e Beogradit, dhe në ora 22:56 ka fluturuar me udhëtarët e njëjtë për në qytetin e Köln në Gjermani, ku pritet të aterrojë rreth orës 00:45 pas mesnatës.
Autoritetet shtetërore të Kosovës në kordinim me aeroportin e Prishtinës kemi qenë në komunikim dhe kordinim të vazhdueshëm me operatorin ajror Eurowings për sigurinë dhe mirëqenien e udhëtarëve tanë që ishin në këtë fluturim.
Fluturimi i udhëtarëve për në Kosovë do të organizohet menjëherë më tutje nga operatori ajror sipas procedurave te aplikuara në raste të tilla.
Informata me të detajuara në lidhje me rastin do të marrim nga operatorin Eurowings në ditët në vijim.