Shkatërrimi i aeroplanit më të madh tregtar në botë ishte një nga imazhet kryesore në fillimin e pushtimit rus të Ukrainës. Në Shkurt, Antonov AN-225 u sulmua në bazën e tij në Hostomel, afër Kievit.
“Ëndrra nuk do të vdesë kurrë“, shkruajtën prodhuesit e tij në Twitter, në atë kohë.
E duket se ata i kanë qëndruar besnikë fjalës së tyre, pasi kompania ka njoftuar planet për ta rindërtuar. I quajtur “Mriya”(shqip ëndërr), avioni masiv u ndërtua në vitet 1980 për të transportuar anijen kozmike sovjetike.
Ai ishte transportuesi më i madh i mallrave në botë, me rreth dyfishin e kapacitetit mbajtës se një Boeing 747, duke fituar statusin e kultit mes fansave. Avioni ishte 84 metra i gjatë, me hapjen më të gjatë të krahëve të çdo aeroplani plotësisht funksional. Deri më sot, ai është avioni më i rëndë i ndërtuar ndonjëherë. Shkatërrimi i tij u njoftua më 27 Shkurt 2022. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba shkruajti në Twitter: “Rusia mund të ketë shkatërruar ‘Mriya’ tonë… por ata kurrë nuk do të jenë në gjendje të shkatërrojnë ëndrrën tonë për një shtet të fortë, të lirë dhe demokratik Europian”.
Kompania Antonov tha në atë kohë se nuk ishte në gjendje të verifikonte gjendjen e aeroplanit, ndërsa gazetari i CNN, Vasco Cotovio vuri në dukje pjesa e përparme kishte marrë “një goditje të drejtpërdrejtë artilerie” dhe ishte “shkatërruar plotësisht”. “Kishte dëmtime të mëdha në krahët dhe disa nga motorët. Pjesa e fundit e bishtit nuk kishte pësuar goditje të madhe dhe kishte disa vrima të shkaktuara nga copëzat ose plumbat”, tha ai në atë kohë, duke parashikuar se një riparim nuk do të kishte gjasa.
Megjithatë, kompania Antonov njoftoi në një postim në Twitter se projekti i rindërtimit kishte filluar tashmë. Sa i përket kostove të riparimit, kompania parashikoi një faturë prej mbi 500 milionë euro për ta rikthyer atë në ajër, duke premtuar më shumë informacion “pas fitores”./tvklan