Avionët rus bombardojnë konvojin e ndihmave turke në Siri

12 persona kanë humbur jetën si pasojë e nje sulmi ajror në rajonin Urum el-Kubra që ndodhet nën kontrollin e opozitarëve. Në mesin e personave që kanë humbur jetën ndodhet edhe drejtori i Gjysmëhënës së Kuqe Turke.

Zyrtari i mbrojtjes civile në Urum el-Kubra, Husejin Bedu, ka folur për AA se “autokolona e ndihmave humanitare në Urum el- Kubra u bombardua nga avionët rusë dhe të regjimit.”

Duke vënë në dukje se nga sulmi janë djegur 20 automjete që transportonin ndihma humanitare, Bedu ka theksuar se ekipet e mbrojtjes civile dhe të zjarrfikëses pas shumë përpjekjesh kanë mundur të marrin nën kontroll zjarrin.

Gjithashtu mësohet se 21 persona kanë humbur jetën nga sulmet e ndërmarra nga avionët rusë në lagjet nën kontrollin e opozitarëve El-Firdevs, Es-Sukkeri dhe El-Merce të Halepit si dhe në rajonin El-Hur.

Që nga njoftimi për përfundimin e armëpushimit, bashkë me sulmin e kryer ndaj autokolonës së ndihmave numri i personave që kanë humbur jetën është rritur në 33. Në një deklaratë nga Ushtria e Sirisë ishte njoftuar përfundimi i armëpushimit i cili kishte hyrë në fuqi ditën e hënë të javës së kaluar.

Stephen O’Brien: “Ndihem i tmerruar nga sulmi ndaj autokolonës humanitare në Siri”

Në deklaratën e tij,  Zv/Sekretari i Përgjithshme i Çështjeve Humanitare pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Koordinatori i Gjendjeve Emergjente, Stephen O’Brien, ka reaguar për sulmin mbi autokolonën e ndihmave humanitare në rajonin Urum el-Kubra.

O’Brien ka theksuar se sipas të dhënave të para në këtë “sulm të tmerrshëm” shumë persona kanë humbur jetën ose janë plagosur rëndë. Ai ka vënë në pah se gjithashtu janë goditur një depo dhe qendër shëndetësore të Gjysmëhënës së Kuqe Siriane.

“Ndihem i neveritur dhe i tmerruar nga sulmi ndaj autokolonës së ndihmave humanitare në Urum el-Kubra në veriperëndim të Halepit”, është shprehur O’Brien, duke theksuar se e dënon sulmin në mënyrë më të ashpër.

SHBA dënon sulmin ndaj autokolonës së ndihmave në Halep

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby, bëri një deklaratë me shkrim në lidhje me bombardimin e autokolonës së ndihmave humanitare nga ana e helikopterëve të regjimit të Asadit në Halep të Sirisë.

Ai tha se Washingtoni ka reaguar fuqishëm ndaj sulmit të autokolonës së ndihmave humanitare. “SHBA-të janë të brengosura nga lajmet për bombardimin e autokolonës së ndihmave humanitare në afërsi të Halepit”, thuhet në reagim.