Avionët luftarakë izraelitë kryejnë sulm ajror në portin detar të Latakias në Siri

Avionët luftarakë izraelitë kryen sulme të shumta ajrore në qytetin dhe portin detar të Latakias, në veriperëndim të Sirisë, në orët e para të ditës së sotme, i fundit në një seri sulmesh kundër Sirisë që nga rënia e regjimit të Bashar al-Asadit dhjetorin e kaluar, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Sirisë SANA, sulmet ajrore izraelite qëlluan në afërsi të portit Al-Abyad dhe qytetit Latakia. Agjencia shtoi se autoritetet përkatëse po kontrollojnë lokacionet e shënjestruara për të siguruar që nuk ka viktima nga sulmet izraelite.

Ministria siriane e Mbrojtjes ende nuk ka komentuar mbi sulmin izraelit. Të martën, shtatë sirianë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një inkursion dhe bombardim izraelit në qytetin Koya në Daraan perëndimore, në jug të Sirisë.

Pas rënies së regjimit të Asadit, Izraeli zgjeroi pushtimin e Lartësive të Golanit në Siri duke pushtuar zonën mbrojtëse të demilitarizuar, një veprim që shkeli marrëveshjen e mosangazhimit të vitit 1974 me Sirinë.

Sipas raportimeve, Izraeli ka kryer gjithashtu qindra sulme ajrore ndaj objekteve dhe aseteve ushtarake në gjithë Sirinë, përfshirë avionë luftarakë, sisteme raketore dhe instalime të mbrojtjes ajrore.

Asadi, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.

Ahmed al-Sharaa, i cili udhëhoqi forcat kundër regjimit për rrëzimin e Asadit, në fund të janarit u shpall president për një periudhë kalimtare.