Avionët luftarak izraelitë nisin sulme ajrore në jugperëndim të kryeqytetit sirian

Avionët luftarak izraelitë kanë nisur një sulm ajror në Tel al-Shahem, në jugperëndim të kryeqytetit sirian Damask, raporton Anadolu.

Burime lokale thanë se vendi i vënë në shënjestër është përdorur si bazë ushtarake nga regjimi i Bashar al-Asadit para rënies së tij.

Burimet theksuan se shpërthime të forta u dëgjuan në Damask gjatë sulmit ajror.

Asadi, lideri i Sirisë për pothuajse 25 vite, më 8 dhjetor u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 1963.

Marrja e kontrollit erdhi pasi luftëtarët e Hayat Tahrir al-Shamit arritën kontrollin në qytetet kryesore me një ofensive që zgjati më pak se dy javë. Një administratë e re e udhëhequr nga Ahmed al-Sharra ka marrë tani përgjegjësinë.

Ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet e saj në territorin sirian që nga rënia e Asadit, duke vënë në shënjestër infrastrukturën dhe objektet ushtarake derisa zgjeroi kontrollin mbi rajonin e pushtuar në Lartësitë e Golanit.

Izraeli ka pushtuar pjesën më të madhe të Lartësive të Golanit që nga lufta e vitit 1967 në Lindjen e Mesme. Pas rënies së regjimit të Asadit, Tel Avivi pushtoi zonën e çmilitarizuar në provincën Quneitra të Sirisë dhe njoftoi prishjen e Marrëveshjes së Shkëputjes të vitit 1974.