Avancimi i ligjërimit fetar përballë ateizmit!

Njëra nga thëniet më të çmuara të dijetarit kolosal Muhamed el Gazali është edhe kjo: Për përhapjen e ateizmit  në botë,  gjysmën e barrës e bartin njerëzit fetarë që irritojnë Zotin tek krijesat e Tij, me veprat dhe fjalët e tyre të këqija.

Ajo që duhet të na shqetësoj sot është se nga shumë shkaqe të ateizmit është një arsye e rëndësishme që është në duart dhe kontrollin tonë, ajo ka të bëjë me ligjërimin fetar islam, më konkretisht me trajtat e ligjërimi fetar që formojnë mentalitetin e njerëzve të kohës sonë, epokës në të cilën filozofitë, sistemet dhe shtetet janë bërë konkurruese në shërbim, mirëqenie, mbrojtje dhe kujdesin e çdo qenie njerëzore.

Disa lloje të diskursit fetar irritues që duhet reformuar:

*Objektivat dhe urtësitë e normave fetare:

Lloji i parë i ligjërimit irritues që duhet renovuar me urgjencë është ligjërimi fetar që izolon vendimet e fesë nga urtësia, dobia, qëllimi dhe objektivat e saj në jetën e njerëzve dhe botës së tyre. Pavarësisht se sa i çuditshëm është gjykimi i nxjerrë, ju duhet të dëgjoni dhe t’i bindeni. Pa marrë parasyesh se Ixhtihadi rrjedh nga bashkëveprimi i dijetarëve me tekstet e shenjta: “Shumë konkluza të dijetarëve janë vetëm përpjekje dhe kuptim i teksteve nga ana e tyre, jo domosdoshmerisht ato duhet të jenë edhe synimi i Zotit!

Duhet të theksojmë se historikisht ekzistojnë dy lexime të mësimeve Islame:

Leximi i parë:

Mësimet Islame jo domosdoshmërisht duhet të jenë të logjikshme, duke shprehur s’i parim themelor pajtueshmërinë, nënshtrimin dhe dorëzimin ndaj normave, sidomos atyre të natyres rituale, rrjedhimisht i bie qe nuk ka nevojë për njohjen e shkakut, qëllimit apo dobisë së dispozitave përkatëse.

Leximi i dytë:

Mësimet e Islame në esencë bazohen në arsyeshmëri, urtësi, qëllim dhe përfitim të interesit për njeriun. Me fjalë të tjera kemi dijetarë të teksteve dhe dijetarë të konteksteve.

Në kohën qe po jetojmë duhet të mbështesim me epërsi shkollën e leximit shpjegues, sepse feja është kuptim, domethënie, qëllim dhe interes për njeriun.

Roli i shkollës se dytë të mendimit islam nuk është kontestimi i normave qe vijnë nga ana e Zotit por është gjithmonë përpjekje për t’i zbërthyer urtësitë dhe arsyet e Zotit që mund të dalin nga këto norma.

Problemi që na ballafaqon në këtë kontekst është, nëse disa muslimanë deshirojnë të dijnë arsyeshmërinë, logjikën, urtësinë dhe dobinë e disa zbritjeve dhe interpretimeve, grupi tjetër sjell tekstet e dëgjimit, bindjes ndaj Zotit dhe të Dërguarit a.s dhe mos ndjekjen e tekeve.

   *Lehtësimi:

Ligjërimi i rreptë, i vrazhdë, i cili e bënë muslimanin të jetoj në përiferi të jetës nëse dëshiron të aplikoj fenë e tij, sepse rrethi i ndalimeve përfshinë shumicën e aspekteve qëndrore të jetës!

Feja merr parasysh çdoherë interesat e njerëzve dhe ua bën më të lehtë jetën e tyre. Feja erdhi për t’i bërë njerëzit të lumtur në botën e tyre dhe në ahiret.

”Ne, nuk ju shpallëm Kur’anin që t’ju ngarkojmë”.

Trishtimi nuk është kusht i fetarisë! Për Fat të keq, ekziston një perceptim i zakonshëm që personi fetar sa ma i tmerruar të jetë, është më afër Zotit. Parimi për besimtarin është vuajtja, vështirësia, paknaqësia dhe shqetësimi, sikur të synohej vështirësia në vetëveten e saj, dhe me këtë keqkuptim justifikohen të gjitha interpretimet e ashpra.

Për sa i përket mësimeve dhe vendimeve të fesë sonë, duhet të dimë se mallkimi, mundimi, sikleti dhe mjerimi janë eliminuar të gjitha nga feja  jonë.

Parimi themelor i fesë tonë është: [gjërat në esencë janë të lejuara], përveç kur ka ndonje ndalesë që në esencë synon të mbroj individin dhe shoqërinë.

Për fat të keq, një grup juristësh në natyrën e tyre kishin temperamentin dhe rreptësinë, rrjedhimisht kjo ka reflektuar pastaj mbi fetvatë e tyre, dikush e cilësoj  qasjen të tyre si [jurisprudenca e trishtimit]. Për ta, kënaqësia, rekreacioni, arti apo defrimi janë rreptësisht të ndaluara, dhe parimi themelor në marrëdhëniet e njerëzve është dyshimi dhe ndalesa! 

Kështu u përmbysë rregulli i fesë: [Në parim gjërat janë të lejuara], për t’u zëvendësuar me rregullin e tyre [Në parim gjërat janë të ndaluara]!

Objektivi themelor i shpalljës së Zotit është lehtësimi për robërit e Tij dhe heqja e sikletit dhe vështirësisë prej tyre: Ai e deklaroi qartë vullnetin e Tij në Kuran: “Zoti dëshiron lehtësi për ju dhe jo vështirësi”, “Ai nuk ju bëri vështirësi në fe”. Çfarëdo që i shkakton njeriut siklet dhe vështirësi të pazakontë, nuk është nga feja.

  *Tolerancë:

Ligjërim i urrejtjes dhe intolerancës brenda shoqërive tona. Muslimanët bashkëkohorë sot jetojnë globalizmin, mjetet e komunikimit, udhëtimet, azilin dhe migrimin në vendet e civilizuara. Kjo i bënë ata të krahasojnë disa nga ligjërimet myslimane kundër të tjerëve, me ligjërimet e barazisë, qytetarisë, tolerancës, bashkëjetesës dhe të drejtave të njeriut në shoqëritë e civilizuara,(pa e mohura faktin se edhe ne këto shoqëri ka ligjërime urrejtëse, si rezultat i ekzistencës së djathtës ekstreme, apo politika të jashtme diskriminuese që janë larg parimeve të tyre të brendshme, të cilave ju përmbahen qytetarët e vet),por ne po flasim për kulturën e përgjithshme të organizuar dhe sistematike që mbrohet nga arsimi, media, ligjet dhe rregullat në ato vende.

E meta e kësaj intolerance ndaj tjetrit është se nuk bën dallimin midis jomuslimanëve paqësor dhe atyre armiqësor me të cilët ka luftë. Pikërisht  këtu ndodh ngatërrimi, vargjet e luftës, armiqësisë dhe ashpërsisë që përmbahen në Kur’anin fisnik në kontekstin e luftës, interpretohen mbi njerëzit paqësor, duke ditur se Islami kërkon që ata të trajtohen me mirësi dhe drejtësi, pa asnjë lloj agresioni.

   *E njerëzishmja:

Përqendrimi në rregulla dhe fetva pa shikuar hallet, nevojat dhe interesat e njerëzve. Zoti i Plotfuqishëm e ka bërë njeriun qendër të universit, për të ka nënshtruar gjithçka mes qiejve dhe tokës, atij i dha shpirtin, melaiket i urdhëroj t’i bëjnë sexhde, i dërgoi Libra dhe Pejgamber, pastaj e ngarkoj me mëkëmbësi në tokë.

Zoti i Plotfuqishëm i përshkroi njeriut vlerat, moralin dhe rregullat. E udhëzoi në atë mënyrë që t’i garantoj lumturinë dhe sigurinë në të dy botrat, prirja njerëzore e Islamit është e hershme në krahasim me fetë e lashta që njeriun e bënin kurban për perënditë e tyre! 

Humanizmit të vonshëm si shpikje e filozofisë materialiste, i parapriu qysh herët Islami,duke e bërë atë fe të përjetshme e humaniste!

Është e nevojshme të theksohet pozicioni i Islamit ndaj të drejtave dhe  lirive të njeriut në të gjitha fetvat dhe ligjërimet bashkëkohore.

    *Harmonizimi me të arriturat shkencore   bashkëkohore:

Disa çasje të sotme  kanë stagnuar në disa interpretime të paraardhësve tanë, sikur të ishin shpallje hyjnore, megjithëse shumë nga thëniet e tyre janë në përputhje me kulturën e epokës dhe shkencave të tyre në atë kohë. Një nga nevojat e ref ka të bëjë me respektimin e të arriturave shkencore, eksperimentale dhe realiste dhe atyre t’u jipet statusi i lartë që ju ka dhënë vet Kurani,“ Më së shumti frikë nga Zoti kanë dijetarët”, konteksti i vargut nuk kufizon këta shkencëtar si dijetarë të fesë:

“Vallë, a nuk e sheh ti se si Allahu e lëshon ujin prej qiellit dhe nëpërmjet tij krijon fruta llojesh e ngjyrash të ndryshme?! Nëpër male gjenden shtigje të bardha dhe të kuqe, me ngjyra të ndryshme dhe krejtësisht të zeza. Njerëzit, janë llojesh të ndryshme gjithashtu. Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët, (që e dinë se) Allahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe Falës.

[Fatir: 27, 28]

Fatkeqësisht, disa studiues fetarë ende e zvogëlojnë kuptimin e shkencës vetëm në atë fetare. Më keq se kjo, disa prej tyre favorizojnë jurisprudencën e dijetarëve fetarë të lashtë që mbështeten në shkencat eksperimentale të kohës së tyre, mbi zbulimet e shkencës moderne empirike, të tilla si kjo fetva: (Kohëzgjatja e shtatzënisë mund të zgjatë më shumë se një vit), ndërkohë qe shkenca moderne ka provuar që shtatzënia nuk mund të zgjasë më shumë se një vit, ose uji qe i ekspozohet diellit është i urrejtur për abdes, ndërkohë që nëse është në një enë metalike shkenca ka provuar që nuk ka kurfarë dëmi.

Sigurisht, këto zbulimet dhe interpretime të lashta duhet të ruhen dhe respektohen si kulturë trashigimore, por jo të favorizohen mbi zbulimet dhe të arriturat shkencore sot.

  *Vlerat:

Ligjerimi fetar duhet të përqendrohet në vlera dhe parime të përjetshme dhe të mos kufizohet në formalitetet, mekanizmat dhe metoda, sikur ato të ishin qëllim në vetëvete. Pra, nuk duhet fiksim në formailitete, por në objektivat dhe synimet e tyre, përjashto këtu çështjet që përfshijnë Besimin dhe Adhurimin, të cilat i ka detajizuar Zoti dhe nuk lidhen me kohën apo vendin.

Si përfundim, ne jemi para dy rrymave: përtërije pa kontroll apo stagnim e kokëfortësi pa përtëritje.

Sikur të zgjidhnim mesin e këtyre dy rrymave, do të kishim kontribuar në eleminimin e njëres nga shkaqet kryesore të ateizmit të sotëm, para kësaj do të kishim kënaqur Zotin tonë dhe do të ndiqnim vullnetin e Tij dhe objektivat e ligjeve të Tij.

Nuk është mirë të mendohet, se kjo bëhet me qëllim për të zbukuruar fenë dhe të përmirësojmë imazhin e saj (në mënyrë që të preferohet) më shumë nga ateistët e rinj!  Përkundrazi, ne duhet të pranojmë se kjo është më e drejtë dhe kërkohet nga realiteti ynë bashkëkohor, pavarësisht nëse ka ateistë apo jo.Përtërirja është një domosdoshmëri dhe detyrim, e kërkuar nga jeta dhe i imponuar nga feja.