Autoriteti Palestinez: Marrëveshja Bahrein-Izrael, “tradhti”

Autoriteti Palestinez dënoi veprimin e Bahreinit për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Udhëheqësia palestineze hedh poshtë dhe dënon fuqishëm deklaratën trepalëshe SHBA-Bahrain-Izrael mbi normalizimin e marrëdhënieve midis shtetit okupues të Izraelit dhe Mbretërisë së Bahreinit”, thuhet në një kumtesë të Autoritetit Palestinez.

Në kumtesë, veprimi cilësohet si “një tradhti ndaj Kudsit, Al-Aksas dhe çështjes Palestineze”.

Në kumtesë gjithashtu thuhet se hapi i Bahreinit hedh në erë Nismën Arabe të Paqes 2002 dhe rezolutat e samiteve arabe dhe islamike.

Grupet palestineze, përfshirë Hamasin, e konsiderojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Bahreinit dhe Izraelit si pjesë të Marrëveshjes së Shekullit të SHBA-së që shfaros kauzën palestineze.

Më herët, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përshëndeti njoftimin e presidentit amerikan Donald Trump për arritjen e marrëveshjes së normalizimit midis Izraelit dhe Bahreinit.

Kjo vjen gati një muaj pasi Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli njoftuan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA për të normalizuar marrëdhëniet e tyre, duke përfshirë hapjen e ambasadave në territorin e njëri-tjetrit.

Bahreini bëhet vendi i katërt arab që ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin, pas Egjiptit në vitin 1979, Jordanisë në vitin 1994 dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në vitin 2020.