Autoriteti Palestinez (PA) ka arritur një marrëveshje me Batalionin Jenin për t’i dhënë fund luftimeve me grupin e rezistencës palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton The Times of Israel, duke cituar një zyrtar anonim palestinez.
Sipas raporteve, ekipet inxhinierike dhe të mbrojtjes civile do të fillojnë çmontimin e eksplozivëve të vendosur rreth kampit dhe nën rrugët e tij nga grupi i rezistencës.
Forcat e sigurisë së PA-së kanë kaluar javë të tëra duke goditur Batalionin Jenin, të përbërë nga luftëtarë të lidhur me Hamasin dhe Xhihadin Islamik Palestinez, në qytetin e Jeninit dhe kampin e refugjatëve Jenin.
Operacioni i quajtur “Operacioni Mbrojtja e Atdheut”, është fokusuar në heqjen e kontrollit të zonës nga luftëtarët e batalionit, të cilët PA i ka cilësuar si “të jashtëligjshëm”.
Forcat e sigurimit të PA kanë rrethuar kampin, duke ndërprerë ujin dhe energjinë elektrike dhe duke arrestuar dhjetëra njerëz. Të paktën 15 persona janë vrarë gjithashtu në përleshjet, duke përfshirë gjashtë oficerë sigurie të PA, një luftëtar palestinez dhe tetë civilë.
Të martën u raportua se Batalioni Jenin njoftoi se kishte rënë dakord për një armëpushim për të “perfunduar gjakderdhjen dhe për të ruajtur strukturën kombëtare palestineze” duke ruajtur “të drejtën legjitime për t’i rezistuar pushtimit kriminal”.
Ato bisedime të mëparshme thuhet se u ndërprenë pas sulmeve ajrore izraelite në kampin Jenin këtë javë që vranë 12 njerëz, raporton The Times of Israel, duke cituar dy zyrtarë palestinezë.