Ekspertët e shëndetësisë paralajmëruan sot lidhur me përhapjen e variantit Delta të COVID-19 në zonat që kanë një mbulim të ulët vaksinimi, i cili mund të rezultojë me bllokime lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në Skai TV, kreu i Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik, Panagiotis Arkoumaneas tha se “në këtë pikë, modelet tregojnë se në gusht, varianti Delta i COVID-19 (që u shfaq në Indi) pritet të bëhet lloji dominues në gjithë Evropën dhe ndoshta në vendin tonë dhe zgjidhja është që të vaksinohemi”.
Arkoumaneas shpjegoi se komuniteti global është në gatishmëri dhe ekziston një shqetësim sepse varianti specifik është 50-60 për qind më ngjitës sesa i pari.
Gjithsej 29 raste të variantit Delta janë zbuluar në vend, nga të cilët 18 janë regjistruar në ishullin e Kretës, ndërsa pjesa tjetër janë zbuluar në rajonin e Atikës dhe Selanikut.
Nikolaos Tzanakis, një profesor i pulmonologjisë në Universitetin e Kretës tha se rastet e zbuluara në ishullin e Kretës ishin ato që nuk ishin vaksinuar, duke theksuar rëndësinë e vaksinimit.
Duke folur në Skai TV, Tzanakis pohoi se varianti Indian, ose Delta, do të jetë dominues në vend deri në fund të gushtit dhe nuk përjashtoi mundësinë e bllokimeve lokale.
Greqia konfirmoi 489 infeksione të reja me COVID-19 të enjten, sipas organizatës së shëndetit publik të vendit. /aa