Qeveria palestineze ka pezulluar të gjitha operacionet e kanalit Al Jazeera në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë transmetimet dhe aktivitetet e zyrës, transmeton Anadolu.
Komiteti ministror, i përbërë nga zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së brendshme dhe Ministrisë së Komunikimit, shpalli vendimin sipas të cilit ndalohet përkohësisht edhe puna e gazetarëve, stafit, ekipeve dhe kanaleve të Al Jazeera-s “derisa të sqarohet statusi ligjor i rrjetit”, sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA.
Pezullimi erdhi pasi autoritetet palestineze pretenduan se Al Jazeera “transmetonte përmbajtje që mendohej se nxisin dhunë, përhapin raportime mashtruese dhe përpiqen të ndërhyjnë në punët e brendshme palestineze”.
Komiteti ministror theksoi se pezullimi do të mbetet në fuqi derisa Al Jazeera “të jenë në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloret palestineze”.
Masa vjen pas një sërë fushatash publike nga zyrtarë të Autoritetit Palestinez dhe grupe të lidhura në mediat sociale që kritikojnë raportimin e Al Jazeera-s për përleshjet e fundit midis forcave palestineze të sigurisë dhe grupeve të rezistencës në kampin e refugjatëve Jenin.
Javën e kaluar, Al Jazeera dënoi atë që e quajti një “fushatë nxitëse” kundër gazetarëve të saj, veçanërisht korrespondentit Mohammed Al-Atrash.
Në një deklaratë, rrjeti theksoi se raportimi lidhur me ngjarjet në Jenin ishte i balancuar, me hapësirë për zërat e rezistencës si dhe për forcat palestineze të sigurisë.
Veprimi i Autoritetit Palestinez u dënua nga grupi palestinez i rezistencës, Hamas.
“Ky vendim përputhet me një sërë veprimesh arbitrare të fundit të ndërmarra nga Autoriteti për të kufizuar të drejtat dhe liritë publike dhe për të përforcuar kontrollin e tij të sigurisë mbi popullin palestinez”, thuhet në një deklaratë.
Deklarata i kërkoi gjithashtu Autoritetit Palestinez të rishqyrtojë vendimin e tij dhe u bëri thirrje të gjitha organizatave të të drejtave të njeriut dhe medias që të “qëndrojnë fuqishëm kundër këtyre praktikave represive”.
Vendimi i Autoritetit Palestinez erdhi pas mbylljes nga Izraeli të zyrës së rrjetit në Ramallah shtatorin e kaluar. Forcat izraelite bastisën zyrën me një urdhër ushtarak, duke konfiskuar të gjitha pajisjet dhe dokumentet, ndërkohë që i ndaluan punonjësit të përdornin automjetet e tyre.
Majin e kaluar, qeveria izraelite miratoi një propozim nga kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ministri i Komunikimeve Shlomo Karhi, për mbylljen e zyrave të Al Jazeera-s në të gjithë Izraelin. Vendimi u miratua menjëherë në bazë të të ashtuquajturit “Ligji i Al Jazeera-s”.