Autoritetet gjermane: Arabia Saudite paralajmëroi për të dyshuarin për sulmin në tregun e Krishtlindjeve

Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se Arabia Saudite i kishte paralajmëruar ata për Taleb Al-Abdulmohsenin, të dyshuari për sulmin në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg që vrau pesë persona dhe plagosi mbi 200 të tjerë, transmeton Anadolu.

Kreu i Zyrës Federale të Policisë Kriminale (BKA), Holger Muench, tha për transmetuesin publik ‘ZDF’ se informacioni u mor në muajin nëntor të vitit 2023 dhe filluan procedurat në përgjigje. Ai tha se policia në shtetin lindor Saksoni-Anhalt kreu masat e duhura hetimore.

Muench theksoi se i dyshuari ka bërë edhe kërcënime ndaj nëpunësve publik.

“Ai gjithashtu ka pasur kontakte të ndryshme me autoritetet dhe ka bërë ofendime, madje edhe kërcënime. Por ai nuk ishte i njohur kur bëhej fjalë për akte dhune”, tha Muench.

Ndërkohë, Zyra Federale e Gjermanisë për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) tha se është paralajmëruar për të dyshuarin edhe përpara sulmit në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg.

BAMF në rrjetet sociale njoftoi se informacioni u mor përmes kanaleve të mediave sociale në fund të verës së vitit të kaluar.

“Kjo, si çdo tjetër nga informacionet e shumta, u mor seriozisht”, shtoi ai.

I dyshuari për sulmin në Magdenburg është një mjek saudit 50-vjeçar, i përshkruar si anti-islam dhe mbështetës i së djathtës ekstreme dhe sionizmit.

Ai erdhi në Gjermani në vitin 2006 dhe ka punuar si psikiatër në Bernburg, në jug të qytetit Magdeburg.

Postimet e tij në mediat sociale shpesh shprehnin shqetësime për ngritjen e Islamit në Gjermani. Ai gjithashtu ndau postime në mbështetje të partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), një parti e ekstremit të djathtë që kundërshton emigracionin musliman dhe grupeve të tjera anti-islame në Evropë. Thuhet se ai gjithashtu ka ndarë një hartë të të ashtuquajturit “Izraeli i Madh” që përfshin pjesë të territorit turk.