Zyrtarët francezë konfirmuan se 39-vjeçari Ziyed Ben Belgacem ka tentuar sot në mëngjes ti marrë armën ushtarit në aeroportin Orly në Paris me ç’rast është vrarë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ata thanë se sulmuesi është shtetas francez. Presidenti i Francës François Hollande deklaroi se hetuesit do të vërtetojnë nëse sulmuesi ka “komplot terrorist prapa vetes”.
Ai hodhi poshtë çdo lidhje midis sulmit me zgjedhjet e ardhshme presidenciale në prill dhe maj. Hollande porositi se asgjë nuk do ti ndalë në luftën kundër ekstremistëve në vitet e ardhshme.
Rikujtojmë se të shtunën në mëngjes në aeroportin Orly në Paris një person tentoi ti marrë armën një ushtari me ç’rast është neutralizuar.
Pas kësaj një pjesë e aeroportit ishte evakuuar ndërsa janë marrë masa të larta të sigurisë.
Të gjitha fluturimet në aeroportin Orly janë pezulluar dhe janë riorientuar drejt aeroportit Charles de Gaulle.
Gjendja e jashtëzakonshme në Francë është shpallur pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit në Paris në vitin 2015 ku humbën jetë 130 persona. Gjendja e jashtëzakonshme është zgjatur pas sulmit terrorist në Nicë më 14 korrik të vitit 2016 në të cilin mbetën të vdekur 84 persona.