Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Autori kreu masakrën në Teksas për të vrarë vjehrrën

Autori kreu masakrën në Teksas për të vrarë vjehrrën

Policia amerikane ka zbuluar se autori i masakrës në kishën në Teksas kishte synim të vriste vjehrrën me të cilën ishte grindur. Përpara sulmit me armë 26-vjeçari Devin Kelli i kishte dërguar asaj mesazhe kërcënuese.

Detaje të reja janë zbuluar lidhur me Devin Patrik Kelli, autorin e masakrës në një kishë baptiste në Teksas ku 26 persona humbën jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur. Autori i sulmit ka pasur për qëllim vrasjen e prindërve të bashkëshortes, me të cilët kishte pasur dhe një zënkë. Madje përpara masakrës, 26-vjeçari i kishte dërguar mesazhe kërcënuese vjehrrës.

Mësohet se prindërit e bashkëshortes së autorit, ishin frekuentues të rregullt të kishës në San Antonio. Por në momentin e sulmit ata nuk gjendeshin të pranishëm në godinë. Ndërkohë, Devin Kellit i ishte refuzuar liçensa e nevojshme për të poseduar armë në këtë shtet. Lajmi është bërë i ditur nga guvernatori Greg Abbot.

26-vjeçari Devin Kelli u gjet i vrarë pasi u largua nga vendgjarja, jo shumë larg kishës. Mediat raportojnë se dy persona po konsiderohen si heronjtë e kësaj ngjarje. Mësohet se ata e kanë parë autorin jashtë kishës ndërsa po tentonte të largohej me një makinë. Më pas vendosën ta ndiqnin dhe të qëllonin ndaj tij. Duke parë situatën, autori i masakrës ka rritur shpejtësinë deri në 153 kilometra në orë. Por kjo gjë i shkaktoi dhe humbjen e kontrollit dhe për pasojë përplasjen me makinë.

Në kontrollin e mjetit, policia amerikane ka verifikuar se 26-vjeçari ka vdekur nga një plagë me armë që e kishte shkaktuar vetë. Agjentët tregojnë se përpara se të ndërronte jetë, 26-vjeçari ka telefonuar babain e tij për t’i thënë për masakrën që kishte kryer dhe se nuk do i mbijetojë plagëve të marra. Policia amerikane njoftoi se në makinë Devin Kelli mbante 3 armë, një armë gjysmë automatike dhe dy pistoleta.

Në 2010-n, ai ka shërbyer si ushtar pranë forcave ajrore amerikane. Një zëdhënëse e ushtrisë tha se në 2012-n, ai kishte marrë dënim nga një gjykatë ushtarake i shpallur fajtor për dhunë në familje. Kishte dhunuar bashkëshorten dhe fëmijën e tyre. dy vite më vonë ishte liruar nga ushtria. Ai jetonte në kontenë Komal, fqinje me zonën ku ndodhi masakra.

Exit mobile version