Prodhuesi amerikan ndërkombëtar i automjeteve elektrike Tesla këtë vit do të hyjë në tregun e Turqisë, njoftoi drejtori ekzekutiv i kompanisë, Elon Musk, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Brenda këtij viti, planifikojmë që Tesla-n ta lançojmë në tregun në Turqi”, ka shkruar Musk në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter.
“E dua vendin tuaj dhe unë do të jem personalisht atje në lançimin në treg”, ka shtuar miliarderi amerikan.
Kompania prodhoi më shumë se 300 mijë automjete elektrike sipas të dhënave të muajit shkurt.
Modeli S, makina e saj më popullore, ka shitur më shumë se 200 mijë njësi deri më tani dhe ishte automjeti më i shitur në botë në vitin 2015 dhe 2016.
Firma lançoi dy modele të tjera, Modeli X SUV dhe Modeli 3, në shtator të vitit 2015, respektivisht korrik të vitit 2017, ndërsa vitin e kaluar paralajmëroi kamionin e parë elektrik Tesla Semi.
Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti Turk i Statistikave (TÜİK), Turqia kishte një total prej afër 12,2 milionë automjeteve të regjistruara deri në fund të marsit.
Ndërkaq, sipas të dhënave të Unionit Evropian të Prodhuesve të Automobilave (ACEA), në Turqi janë regjistruar 729.500 automjete të reja vitin e kaluar, krahasuar me 15,1 milionë në Bashkimin Evropian.
Në Turqi ekzistojnë vetëm disa qindra përdorues të automjeteve elektrike Tesla, ndërkohë që sipas ekspertëve, numri i ulët i stacioneve për mbushjen e automjeteve elektrike dhe shërbimet e kufizuara janë disa nga pengesat më të mëdha për tregun e këtyre automjeteve në vend.
Ekspertët theksojnë nëse merren parasysh çmimet e larta të naftës dhe varësia e jashtme për sa i përket naftës, atëherë përhapja e automjeteve elektrike mund të zvogëlojë varësinë ndaj naftës.
Sipas raportit të Gjendjes Globale të Veturave Elektrike 2017 të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), në vitin 2016 në botë janë shitur mbi 750 mijë automjete elektrike ndërsa numri i përgjithshëm i këtij lloji të automjeteve në po të njëjtin viti ka kaluar në mbi dy milionë.
Sipas raportit, numri i automjeteve elektrike pritet të shkojë në mes nëntë dhe 20 milionë deri në vitin 2020, dhe nga 40 deri në 70 milionë deri në vitin 2025.