Automjetet e Kryqit të Kuq me të burgosurit palestinezë të liruar nga Izraeli mbërrijnë në Gaza

Të burgosurit palestinezë të liruar nga Izraeli kanë mbërritur në Gaza, duke kaluar përmes pikës kufitare Kerem Abu Salem në qytetin jugor Rafah të Rripit të Gazës, raporton Anadolu.

Një grup i dytë prej 200 të burgosurish palestinezë u liruan sot në bazë të marrëveshjes së armëpushimit të Gazës dhe shkëmbimit të të burgosurve ndërmjet Hamasit dhe Izraelit.

Më herët, Hamasi liroi katër ushtare izraelite.

Në kuadër të fazës së parë të armëpushimit në Gaza, Izraeli tani do të tërhiqet nga zona e Korridorit Netzarim që ndan Gazën veriore nga jugu i saj, duke u mundësuar palestinezëve të zhvendosur të kthehen në zonat e tyre në Gazën veriore.

Faza e parë 6-javore e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza hyri në fuqi më 19 janar, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit, e cila që nga 7 tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 47.300 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur rreth 11.400 të tjerë.

Në ditën e parë të armëpushimit, përkatësisht më 19 janar, Izraeli liroi 90 të burgosur palestinezë në këmbim të tre pengjeve izraelite të liruara nga Hamasi.

Marrëveshja e përbërë prej tre fazash e armëpushimit përfshin shkëmbimin e të burgosurve dhe qetësi të qëndrueshme, duke synuar një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza.