E keqja e shqiptarëve është se vazhdojnë të mësojnë histori të shtrembëruar, pra nuk e dinë se çfarë u ka ndodhë në të kaluarën, dhe rrjedhimisht nuk mësojnë nga lëshimet dhe gabimet që kanë bërë në të kaluarën, por i përsërisin sërish e sërish.
Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë
Janë të pavërteta pohimet se anglo-amerikanët, me vendimet e Tehranit dhe të Jaltës, ia kishin lënë Shqipërinë Rusisë. Nga dokumentet zyrtarë, ditarë e kujtime të botuara deri sot, nuk vërtetohet askund që të ketë qenë objekt bisedimesh e traktativash ndër ato mbledhje për ndarjen e influencave.
Përkundrazi, rezulton të ketë qenë injoruar, së paku nga anglo-amerikanët. Aq e vërtetë është kjo, sa dihet që Greqia qe lënë nën influencën e Anglisë, Bullgaria nën Rusinë e Jugosllavia nën influencën dypalëshe ruso-angleze. Pra, gjithçka është biseduar në ato mbledhje, por çështja e Shqipërisë nuk është përmendur fare.
Duke mos qenë shprehimisht Shqipëria ndër çështjet e ndarjes së influencave del në shesh vetvetiu se Shqipëria objektivisht ka pasur mundësi shpëtimi nga komunizmi dhe që Shqipëria të bënte pjesë me Perëndimin në regjim demokratik.
Disa thonë, se edhe po t’ishin bashkuar të gjitha forcat nacionaliste, çështja do të kishte përfunduar ashtu si përfundoi, pasi komunistëve do t’u kishin ardhur në ndihmë divizionet jugosllave e ruse. Kjo hipotezë, nuk mund të përjashtohet krejtësisht, por ja se çfarë shkruan Kol Bib Mirakaj, ministër i Brendshëm i Shqipërisë në periudhën maj-gusht 1943: “Po t’i kishin dhanë Balli Kombëtar e Legaliteti (aso kohe ky i fundit me anë t’Abaz Kupit bante pjesë zyrtarisht në Lëvizjen Nacional -Çlirimtare – pra komuniste – e Balli, me bashkëpunim jashta LNÇ.), përkrahjen – të paktën tërthorazi – qeverisë, pra duke mos sabotuar e mos bashkëpunuar me komunistët, e mos të kishin shtuar rreshtat e tyre me të rijtë idealista, që i shtynin të dalin në mal, pa pasë një organizatë të veten çetash t’armatosura, e kështu, mbarojshin ndër çetat komuniste e përpiheshin nga ato dhe ideologjia bolshevike, lëvizja komuniste do të kishte pasë mujtë të shuhet pa vonesë, kështu, që mbarimi i luftës, do të na gjente pa ketë gjarpën në gji. Në ketë mënyrë, do t’u mungonte si rusëve ashtu jugosllavëve justifikimi me marrshue drejt Shqipnisë meqë rregjimi do t’ishte (simbas planit të qeverisë) në dorë të nacionalistëve të deklaruem kundershtarë të Boshtit dhe miqë t’ Aleatëve. Aq ma teper, kur në ketë rasë, nuk do të kishte pasë ushtri të Boshtit në Shqipni, pse do të ishin të ter hjekuna siç u terhoqën.”
Pas kapitullimit të Italisë, erdhi pushtimi ushtarak gjerman. Ishte e lehtë të parashihet se ushtritë gjermane (në rast tërheqjes) do të tërhiqeshin nëpër Serbi e Mal të Zi, meqë nuk kishin tjetër rrugë pos kësaj, do të kishin qenë të zëna me ushtritë gjermane në tokën e tyre pa pasur mundësi të kthehen nga Shqipëria. Ish-Ministri i Brendshëm i Shqipërisë (1943), Kol Bib Mirakaj kishte pasur disa takime me kryeministrin italian, Benito Musolini, dhe herën e fundit ishte dakorduar me të se çfarë do të duhej bërë në Shqipëri në rast se bëhet evidente se Italia do ta humbiste luftën. Mirakaj pohon se “Fuqitë Shqiptare, që u parapanë simbas planit të vendosun me Musolinin, arrijshin në rreth dyqind-mijë luftarë. Me këto forca, ne mund të qendrojshim në mbrojtje (difensivë) pa lëshue një pllambë tokë të kufinjve t’atëhershëm tue perfshi tokët e Lirueme që nga Prilli 1941 (pra Kosovën, Maqedoninë Perëndimore, Ulqinin, Plavën, Gucinë e Rozhajën; vërejtje – N. Spahiu) per gjithë kohën, që fuqitë jugosllave do të kishin kenë të zanuna me fuqitë gjermane në terhjekje. Do të kishte kenë koha e mjaftueshme me bindë ose shkak tue edhe pushtimin ushtarak të anglo-amerikanve në krejt tokën Shqiptare.”
Shtrohet pyetja: A do të kishin mundur shqiptarët të organizuar e të armatosur sipas këtij plani t’i mbronin kufijtë deri n’arrijtjen e ushtrive anglo-amerikane? Këtu janë dy faktorë tanimë, të regjistruar në histori, që këtë e pohojnë pozitivisht:
Në tërheqje të ushtrisë gjermane dy divizione bullgare sulmuan ta okupojnë Kosovën. Përballë tyre ishte një regjiment jo i plotë i Ushtrisë Shqiptare, i komanduar nga kolonel Fuad Dibra, dhe vullnetarë kosovarë të dalë në luftë me kushtrim, pa ndonjë tjetër përgatitje teknike, përveç vullnetit të mirë me mbrojtë vendin e vet, me armë e municion mjaft të pakët. Ky grusht burrash zmbrapsi sulmet e ushtrisë së rregullt bullgare, duke u marrë edhe shumë materiale lufte e gjashtë topa. Është e lehtë të merret me mend që sikur të kishte pasur 10-15 divizione të stërvitura e të armatosura sipas planit të qeverisë që flet Mirakaj, ndër kufijtë me Serbinë, sigurisht, një këmbë serbe apo bullgare nuk do të kishte shkelë në tokën shqiptare, të paktën për tre-katër muaj, aq sa zgjati tërheqja e ushtrisë gjermane nëpër Serbi, Bosnje e Kroaci.
Nuk ishin ushtritë partizane jugosllave ato që erdhën në ndihmë të komunizmit në Shqipëri për ta marrë pushtetin e për të dëbuar okupatorin, por ishin partizanët shqiptarë (komunistët) që shkuan në Serbi t’i ndihmojnë ata kundër gjermanëve. Ishte Mehmet Shehu me divizionet e tij, që pushtuan Kosovën e ia dorëzuan Serbisë. Kol Bib Mirakaj shkruan i bindur në kujtimet e tij të titulluara “Vetvrasja e një kombi” se “Kurrë e askurrë komunizmi nuk do të kishte mundë të marrë pushtetin në dorë në Shqipni, përveç me fat që do t’i përgatiste vetes në mbarimin e Luftës”. Sikur ta përjashtojmë krejtësisht mundësinë e ndërhyrjes anglo-amerikane, kushdo që të ishte në krye të qeverisë, duke ditur rrezikun që mund t’i kërcënohej Shqipërisë nga fqinjët, do t’i ftonte aleatët. Me t’u futur aleatët në një shtet shqiptar me kufij gati etnikë, siç ishin realizuar në prill të vitit 1941, shtator 1943 ose edhe shtator 1944, kufijtë do të ishin të garantuar, sepse aleatët nuk do t’ia dorëzonin një shteti komunist, siç ishte Jugosllavia, një territor që ata do ta kishin në zotërim. Por, le ta marrim rastin me të keq. Ta zëmë, se ku ta dimë për çfarë arsye, anglo-amerikanët nuk do të ndërhynin në Shqipëri dhe Armata e Kuqe Sovjetike do të marshonte drejt tokave shqiptare. A nuk do të kishte qenë historikisht (në rastin më të keq) më me vlerë që nacionalizmi shqiptar, kombi shqiptar, të mundej nga divizionet e kolosit bolshevik, sesa ta shpartallojë vetveten, duke i ra njëri thumbit e tjetri patkoit, me grindje e ndasi që ishin fryt i bindjes së verbër të urdhrave të disa agjentëve të huaj? A nuk ishte shumë më me nder e më e dobishme që qëndresa shqiptare të dërmohej nga divizionet e huaja armike sesa ta linte veten (siç e la) të shpartallohej nga një grusht aventurierësh komunistë të urryer nga shumica e shqiptarëve?
Kol Bib Mirakaj i mallkon ballistët se i kishin bërë bisht marrëveshjes së ofruar nga Qeveria e kohës dhe se “pa lakmi personale a bisht mbrapa qëllimesh, jemi ofrue ta mbajmë ne përgjegjësinë e mbrojtjes kundër sulmeve serbe e, eventualisht, edhe greke, derisa të provokojmë nderhymjen e ushtrivet anglo-amerikane. U kemi premtue që n’atë rasë t’u lëshojmë pushtetin në dorë, dhe se nuk do të ikshim as në male, as jashta Atdheut, po do t’u viheshim në dispozicion pakushte, edhe po kje se do ta lypte oportuniteti i asaj kohe çmendije t’anglo-amerikanëve, dhe të na dënojshin edhe me vdekje, si fajtorë per bashkëpunim me Boshtin, si kuislingë(!) E na, në një rasë të tillë, do ta quejshim të kryem lumnisht misjonin tonë në sherbim t’Atdheut, Dëshmorë të Tij, mjaft që të kishim mujtë të shkaktojmë okupimin e ushtrive të fuqivet demokrate deri nder kufinjtë etnikë t’ asajë kohe. Flijimi ynë në Tempullin e Atdheut per ketë ideal, do të na ishte dukë shelbim”.
Ndërsa për zogistët Mirakaj ka pezëm akoma më të madh. “Kemi tolerue edhe ndihmue, mbajtjen në kambë të një opozicjoni nacionalist simpatizues për demokracitë, me qellim me e pasë Atdheu rezervë, që të mund tu paraqitej Aleatëve si kundershtare e Boshtit, në rasë që ata (Aleatët) do të fitojshin luftën. Krenëve ma me rendësi që ishin t’arratisun, si p.sh Abaz Kupit, u kemi sigurue zona me qendrue qetsisht (të fshehun formalisht), tue ndalue hymjen e patrullave tona n’ata vende, me kusht, vetëm, që mos të dalin sheshit dhe të mos rrinë sëbashku me komu- nistë, meqë këta të fundit i ndiqshim pandërpremje. Ketë trajtim, ua kemi ba të dijtun deri në fund, derisa ditën mbas ramjes së Musolinit, dolën nga strofulli e “filluen luftën” kundra okupatorit të plagosun per vdekje nder frontet e luftës, e madje,edhe në frontin e mbrendshëm nga ndryshimi i papritun që ngjau n’Itali me 25 korrik 1943. Shembulli ma tipik i asaj dalje nga strofulli kje Abaz Kupi, i cili sulmoi Burrelin me Mat e me komunistë sëba- shkut, e me kolpiçitetin e rrethkomandantit kapiten Kurtin (i biri i Syl Kurtit), pushtoj qendren e Burrelit, por nuk mundi të bajë të dorzohet një kompani ushtarësh Italianë, dhe per rrjedhim, u kthye Abaz Aga me mashumse dymijë vetë në Burrel mbas tri ditësh, shkaktoidjegien e krejt Matit deri në Macukull. E pra, me Abaz Kupin, na kishim një marrëveshje të lidhun me “besë burrash” me anë të kolonel Tahsim Bishqemit (nënkomandant i përgjithshëm i gjendarmërisë), që na me e lanë të qetë në zonën mes Krujës e Burrelit, e ai mos me ba asnjë aksion, pa e paralajmrue shoqi-shoqin dy javë ma përpara. Ky paralajmërim i Abaz Kupit, mue m’ erdhi “me ushtimen e pushkëve” në Burrel…”. Toleranca e Mustafa Krujës ndaj Ballit Kombëtar dhe ndihmat edhe në të holla të Maliq Bushatit në favor të Ballit, janë të dokumentuara nga Mustafa Kruja. Por, ja se çfarë Mirakaj thotë për rastin e Ali Klisurës. “Kur u kap Ali Klisura nga komunistët, unë (asokohe ministër i Punëve të Mbrendëshme), mbas një bisedimi që pata me prefektin e Korçës, zotni Rasim Babameton, i dërgova menjëherë 160.000 fr. që mi kerkoi, per t’organizue forcat e Ballit në Gjinokastër që të lirojshin Ali Klisurën, dhe i vuna në dispozicion forcat e qeverisë prej çastit që i dëshronte me shpetue atë veteran. Shumën ia dergova qark-komandantit të Gjinokastrës Xhafer Shkëmbit. Rasim Babameto aso kohe ishte prefekt i qeverisë në fuqi, dhe një nder kryetarët e Ballit Kombëtar, gja që edhe ai vetë nuk ma pat fshehë, e megjithëkëte, unë e pata mbajtë gjithnjë prefekt n’atë vend aqme rendësi siç ishte Gjinokastra. Per mue edhe pse ai ishte një nder kryetarët me rendësi të Ballit Kombtar, kjo ishte e mjaftueshme që e dijshe, mbasi ai ishte një patriot i mirë, një veteran”.
Siç shihet nga këto rrëfime autobiografike të Kol Bib Mirakajt, që aso kohe ishte ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe njëkohësisht nënkryetar i Partisë Fashiste Shqiptare, kishte pasur bashkëpunim dhe ndërkëmbëza mes të gjithëve dhe kundër të gjithëve. Kishte bashkëpunim mes ballistëve dhe komunistëve, mes komunistëve dhe zogistëve, mes zogistëve dhe ballistëve, mes qeverisë dhe ballistëve, mes Qeverisë dhe zogistëve, ndërsa në fund ajo që duket më e pabesueshmja e që dokumentohet në këtë rrëfim autobiografik, bashkëpunimi mes italianëve e komunistëve dhe gjermanëve e komunistëve, por edhe pakti mes Qeverisë dhe komunistëve.
Kur komunistët kishin filluar serinë e atentateve, Qeveria ekzekutoi disa komunistë si vërejtje dhe, rrjedhimisht, ministri i brendshëm Mirakaj kishte bërë pakt me komunistët për ndaljen e atentateve, të cilin komunistët e kishin respektuar derisa ishte në këtë pozitë Mirakaj.
Në rrëfimet e Xhafer Devës dhe për Xhafer Devën, pra të atij që erdhi në pozitën e ministrit të brendshëm pas Mirakajt, flitet se si politikanët e Shqipërisë së vitit 1913 nuk i kuptonin problemet e Kosovës dhe rrezikun serb, por Mirakaj duke mos kontestuar atdhedashurinë e Xhefer Devës flet për naivitetin e tij, kur mori vendim për të lëshuar komunistët nga burgjet në emër të asaj se ata kishin luftuar fashizmin italian.
Përfundimisht, komunistët triumfuan në luftën civile në Shqipëri për arsyet e mëposhtme: 1. Gjermanët nuk kishin asnjë interes tjetër në Shqipëri, pos që të siguroheshin që anglezët dhe amerikanët të mos zbarkojnë në bregdetin shqiptar. I përkëdheluri i gjermanëve ishte Xhafer Deva, por gjermanët bashkëpunuan me të gjitha forcat politike, përfshirë edhe komunistët. 2. As aleatët anglo-amerikanë nuk kishin ndonjë interes në Shqipëri, përvese t’ua tollovitnin punën gjermanëve sa më shumë. 3. Të vetmit të interesuar për Shqipërinë ishin komunistët serbë. Ata kishin ide dhe vizion se çfarë duhet bërë në Shqipëri për një interes të vetëm: ta rikthenin Kosovën. 4. Problemi kryesor i shtetit shqiptar ishte moskuptimi mes Shqipërisë së Vjetër (ajo e vitit 1913) dhe Shqipërisë së Re (Kosova dhe viset e tjera të bashkuara asaj kohe me Shqipërinë). 5. Klasa politike në Shqipëri ishte rehatuar disi 15 vite pas shpalljes së pavarësisë, kur Ahmet Zogu arriti të bëhej mbret. Ai këtë e arriti me eliminimin fizik të disa kundërshtarëve politikë, korruptimin e disa tjerëve, dorëzimin e të tjerëve etj. Me një fjalë, Ahmet Zogu i futi të gjithë dreqërit në thes. Me pushtimin italian, e sidomos pas atij gjerman, dreqërit dolën nga thesi.
Në fund fare …Historikisht, kur fati i shqiptarëve u është lënë në dorë vetë shqiptarëve, shqiptarët e kanë bërë për vete më të keqën e mundshme. E keqja e shqiptarëve është se vazhdojnë të mësojnë histori të shtrembëruar, pra nuk e dinë se çfarë u ka ndodhur në të kaluarën dhe, rrjedhimisht, nuk mësojnë nga lëshimet dhe gabimet që i kanë bërë në të kaluarën, por i përsërisin sërish e sërish. Historianë falsifikatorë, autorë të teksteve shkollore të historisë, pohojnë se Enver Hoxha dhe kryekriminelët e tjerë ishin çlirimtarë derisa u krye lufta (lexo derisa ishin të udhëzuar nga serbët Milladin Popoviq, Dushan Mugosha, Svetozar Vukmanoviq – Tempo etj.), por “u kthyen në kriminelë pas çlirimit” (lexo: pasi u prishën me serbët)! /shenja
* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *