Austria vendos të rrëzojë shtëpinë ku ka lindur Adolf Hitleri për të evituar që kjo godinë, e braktisur prej shumë vitesh, të shndërrohet në një vend pelegrinazhi neonazist. “Shtëpia e Hitlerit do të shkatërrohet. Themelet mund të ruhen, por një godinë e re do të ngrihet”, deklaroi ministri austriak i Punëve të Brendshme, Wolfgang Sobotka, në një intervistë për të përditshmen “Die Presse”. Godina e re do të shërbejë për një përdorim administrativ ose edukues.
Shtëpia që ndodhet në qendër të Braunau-am-Inn, në veri të vendit, në kufij me Gjermaninë, është e pabanuar që prej vitit 2011 dhe tërheq regullisht neonazistë, por edhe manifestime antifashiste. Por para se të kërkojë të rrëzojë godinën e verdhë ku Hitleri lindi më 20 prill 1889 dhe ku jetoi për tre vite, qeveria austriake duhet t’i japë fund procedurave të shpronësimit, pasi nuk ka gjetur dot gjuhën e përbashkët me pronaren aktuale, Gerlinde Pommer. Familja e saj ka në pronësi këtë vend prej më shumë se një shekull, përveç një ndërprerje të shkurtër gjatë periudhës naziste kur ajo ia shiti shtëpinë Martin Bormann-it, shumë i afrët me Hitlerin. Në vitin 1972, shteti austriak, tashmë i shqetësuar që të evitonte çdolloj përkujtimi neonazist përreth këtij vendi, kishte nënshkruar me Pommer një kontratë qeraje ku thuhej se godina mund të shërbente vetëm për motive sociale, edukuese ose administrative. Në këtë mënyrë shtëpia e Hitlerit ka qenë për shumë dekada një qendër pritjeje për persona handikapatë, një kategori e popullsisë që kishte qenë viktimë e regjimit nazist.
Tashmë historianët dhe ekspertët sugjerojnë ta shndërrojnë në një vend arsimor, të tjerë në të kundërt kanë kërkuar për depolitizimin e plotë të kësaj godine duke propozuar gjithashtu që të transformohet në një supermarket ose kazermë për zjarrëfiksit para të cilave askujt nuk do t’i vejë në mendje të bëjë foto.