Austria i ndalon hyrjen ministrit turk të ekonomisë

Austria i ka ndaluar hyrjen në vend ministrit turk të Ekonomisë, Nihat Zeybekci, i cili kërkonte të merrte pjesë në tubimin e organizuar në Vjenë me rastin e përvjetorit të parë të puçit të dështuar ushtarak në Turqi.

Për autoritetet austriake, prania e ministrit Zeybekci përbën rrezik për sigurinë dhe rendin publik. Ankaraja nuk ka reaguar ende mbi këtë vendim, por marrëdhëniet mes dy vendeve janë të tensionuara prej kohësh, e Vjena e ka kritikuar hapur Turqinë për reagimin e ashpër pas tentativës për grusht shteti.

Përpos kësaj, Austria nuk ka ngurruar të dalë hapur në mbështetje të ngrirjes së negociatave të saj të anëtarësimit. Në muajin mars, Austria ia ndaloi presidentit Recep Tayyip Erdogan të bërit fushatë në territorin e saj, për referendumin që do të zgjeronte pushtetin e presidentit.