Austria drejt udhëheqjes nga e djathta ekstreme me në krye Herbert Kicklin

Herbert Kickl

Presidenti austriak, Alexander Van der Bellen, ka njoftuar të dielën se do të takohet me politikanin e ekstremit të djathtë, Herbert Kickl, pasi spekulimet po rriten se ai do t’i kërkojë liderit të Partisë së Lirisë të formojë një qeveri.

Van der Bellen e bëri njoftimin pas takimit me kancelarin, Karl Nehammer, dhe të tjerë në pallatin e tij presidencial. Nehammer ka bërë të ditura synimet e tij për të dhënë dorëheqjen pasi bisedimet për buxhetin ndërmjet partisë së tij, Partia Popullore, dhe Social Demokratëve të qendrës së majtë dështuan, raporton AP.

Nehammer ka përjashtuar mundësinë e punës me Kickl, por të tjerët brenda partisë së tij janë më pak të vendosur. Më herët të dielën, Partia Popullore emëroi sekretarin e saj të përgjithshëm, Christian Stocker, si udhëheqës të përkohshëm, por presidenti ka thënë se Nehammer do të mbetet kancelar për momentin.

Van der Bellen ka thënë se kishte kaluar disa orë duke biseduar me zyrtarë kryesorë, pas së cilës ai mori përshtypjen se “zërat brenda Partisë Popullore që përjashtojnë punën me Partinë e Lirisë nën liderin e saj Herbert Kickl janë bërë më të qetë”.

Presidenti ka thënë se ky zhvillim ka “hapur potencialisht një rrugë të re”, gjë që e ka shtyrë atë të ftojë Kickl për një takim të hënën në mëngjes.

Partia e Lirisë e Kickl kryesoi në zgjedhjet kombëtare të vjeshtës me 29.2% të votave, por Van der Bellen e ngarkoi Nehammerit të krijonte një qeveri të re, sepse asnjë parti tjetër nuk ishte e gatshme të punonte me Kickl.

Ky vendim nxiti kritika të rënda nga Partia e Lirisë dhe mbështetësit e saj, teksa Kickl deklaroi në tetor se nuk ishte “e drejtë dhe logjike” që ai nuk mori një mandat për të formuar një qeveri. /koha