Të pavaksinuarit në Austri, të cilët nuk e kanë kaluar COVID-in, nuk do të lejohen më të hyjnë në restorante, hotele dhe sallone bukurie apo të marrin pjesë në ngjarje publike më të mëdha se 25 persona sipas rregullave të reja që hyjnë në fuqi të hënën, ka bërë të ditur qeveria austriake.
Kancelari austriak, Alexander Schallenberg, përshkroi rregullat të premten mbrëma pas një takimi me udhëheqësit e nivelit shtetëror për të diskutuar përgjigjen e vendit ndaj rasteve me koronavirus në rritje të shpejtë.
“Është thjesht përgjegjësia jonë për të mbrojtur njerëzit në vendin tonë”, ka thënë Schallenberg, transmeton Klankosova.tv
Më parë, njerëzit mund të hynin në restorante, hotele dhe zona të tjera nëse ishin të vaksinuar, ishin shëruar nga virusi ose kur kishin një test negativ, shkruan AP
Qeveria po planifikon një periudhë tranzicioni për katër javët e para për të inkurajuar të pavaksinuarit të marrin injeksione. Gjatë kësaj kohe, kushdo që ka marrë një dozë vaksine dhe ka rezultate nga një test i vlefshëm PCR, do të lejohet të marrë pjesë në ngjarje dhe të hyjë në llojet e listuara të vendndodhjeve.